Vazhdojnë sulmet ndaj Iranit në Lindjen e Mesme dhe gjithahstu edhe goditjet e Teheranit ndaj vendeve të rajonit. Të paktën 1,097 civilë janë vrarë në Iran që nga fillimi i sulmeve të Uashingtonit dhe Izraelit më 28 shkurt të shtunën, tha Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA.
Ndërkohë burime izraelite thanë se ushtria e vendit goditi kompleksin e një grupi që zgjedh udhëheqësin e ri suprem të Iranit, ndërsa media shtetërore iraniane tha se ndërtesa u evakuua para sulmit. Ministri I mbrojtjes izraelit e bëri të qartë se kushdo që të zgjidhet lider I ri, do të jetë një objektiv I sulmeve.
Ndërkohë Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se kanë vrarë komandantin më të lartë të Forcës Quds të Iranit. Forca Quds është forca e Gardës Revolucionare Islamike që merret me marrëdhëniet e Iranit me milicitë rajonale.
Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë goditur rëndë mbrojtjen ajrore të Iranit. Izraeli gjithashtu ka vijuar sulmet në Liban, ku Hezbollah është përfshirë në luftë krah Teheranit. Raketat goditën një hotel pa asnjë paralajmërim, ndërsa një valë e re sulmesh filloi në kryeqytetin Bejrut.
Irani po ashtu ka vazhduar sulmet hakmarrëse ndaj objekteve amerikane në vendet e rajonit. Një dron iranian goditi konsullatën amerikane në Dubai, ndërsa një raketë iraniane goditi një bazë amerikane në Katar.
Ndërkohë mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se të enjten në mbrëmje mbahet në Teheran një ceremoni mortore për Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Khamnei u vra kur filluan sulmet të shtunën, ndërsa ceremonia pritet të fillojë në orën 10:30 me kohën lokale dhe do të zgjasë tre ditë./abcnews.al


