Një sulm ajror izraelit të shtunën vrau kreun e forcave policore të drejtuara nga Hamasi në veri të Rripit të Gazës, gjeneral-brigadierin Abdel-Nasser Al-Maqadma; këtë e bënë të ditur Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi dhe personeli mjekësor.
Maqadma, një nga të paktën pesë palestinezët e vrarë në sulmet izraelite të shtunën, njihej gjithashtu si guvernator i veriut të Rripit të Gazës. Ai u vra në zonën Sheikh Radwan, në veri të qytetit të Gazës, sipas burimeve mjekësore.
Ushtria izraelite deklaroi se ai ishte gjithashtu pjesë e krahut ushtarak të Hamasit.
Gjatë muajve të fundit, Izraeli ka vrarë dhjetëra pjesëtarë të forcave policore të drejtuara nga Hamasi – përfshirë zyrtarë të lartë duke akuzuar shumë prej tyre se ishin anëtarë të krahut të armatosur të Hamasit dhe se përbënin kërcënim të menjëhershëm për Izraelin dhe forcat e tij brenda Gazës.
Hamasi pretendon se sulmet izraelite ndaj forcave policore dhe selisë së tyre synojnë të mbjellin kaos e anarki në enklavë dhe të shkelin armëpushimin e muajit tetor, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Një tjetër sulm izraelit të shtunën vrau një punonjës mjekësor palestinez në kampin e refugjatëve Nuseirat, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, sipas burimeve mjekësore.
Ato shtuan se një oficer policie, i plagosur nga një sulm ajror izraelit javën e kaluar, kishte ndërruar jetë të shtunën. Ushtria izraelite nuk dha menjëherë ndonjë koment lidhur me këtë incident.
Sipas personelit mjekësor, një sulm ajror izraelit vrau gjithashtu dy persona në një shtëpi në Khan Younis, në jug të enklavës. Ushtria izraelite deklaroi se sulmi kishte në shënjestër një militant të grupit Xhihadi Islamik.
Më vonë gjatë së shtunës, një sulm ajror izraelit – sërish në Khan Younis – vrau Khaled Al-Breim-in, një nxënës të shkollës së mesme, duke e çuar në të paktën pesë numrin e përgjithshëm të të vdekurve për atë ditë.
Të afërmit thanë se Breim u vra ndërsa po përpiqej të sillte ëmbëlsira për t’ua shpërndarë të afërmve dhe miqve, të cilët ishin mbledhur në shtëpinë e tij për ta uruar, pasi ai sapo kishte përfunduar shkollën e mesme dhe po përgatitej për universitet.
Ushtria izraelite nuk dha menjëherë ndonjë koment lidhur me vdekjen e nxënësit.
Këto vdekje të fundit i shtohen bilancit prej më shumë se 1.180 palestinezësh – kryesisht civilë – të vrarë nga sulmet izraelite që kur hyri në fuqi armëpushimi i tetorit midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës.
Hamasi zakonisht nuk i bën publike humbjet e tij.
Armëpushimi ndaloi luftimet në shkallë të gjerë, por nuk i ka dhënë fund sulmeve pothuajse të përditshme izraelite. Gjatë së njëjtës periudhë, katër ushtarë izraelitë janë vrarë nga militantët në Gaza.
Bisedimet për paqe kanë ngecur
Ndërmjetësit, përfshirë Egjiptin, Katarin, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara, janë përpjekur të çojnë përpara planin e Presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza plan që kërkon çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e Izraelit por ka pasur pak shenja përparimi në këto përpjekje.
Lufta nisi kur luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1,200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas shifrave izraelite. Ofensiva pasuese e Izraelit ka vrarë më shumë se 73,000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës.
Izraeli kontrollon de facto rreth 64% të Rripit të vogël bregdetar, i cili është shndërruar në gërmadha nga sulmi ushtarak dyvjeçar i Izraelit, i ndërmarrë pas sulmit të Hamasit të vitit 2023 ndaj Izraelit jugor.



