Studentët protestojnë para kryeministrisë

schedule15:26 - 13 Dhjetor, 2018

schedule 15:26 - 13 Dhjetor, 2018

Studentët po protestojnë përpara kryeministrisë. Fillimisht protesta e së enjtes u zhvillua përpara parlamentit, ku Kuvendi ishte mbledhur për seancën e zakonshme plenare.

Studentët kanë më shumë se një javë që protestojnë për plotësimin e kërkesave të tyre. Ata refuzojnë të kenë një përfaqësi pasi sipas tyre çdo grup i vogël është i manipulueshëm.

Të rinj të vendosur përpara kryeministrisë u shprehën se protesta do vazhdojë deri në momentin që do plotësohen kërkesat pasi bëhet fjalë për të drejtat e tyre.

Studenti 1: Do bashkohemi të gjithë studentët për të mbrojtur të drejtat tona, Kërkesat janë të qarta. Deri në plotësimin e kërkesave këtu do rrimë. Do qëndrojmë dhe do i tregojmë se studentët kanë për të bërë një revolucion shumë të madh këtu.

Studenti 2: Dua të plotësohen kërkesat që ne kemi. Nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveçse të drejtave tona.

Mendoni se kërkesat tuaja mund të plotësohen pa dialoguar?

Studenti 2: Jo, mjafton të plotësohen kërkesat dhe pastaj të dialogojmë. Po të ketë dialog do të ketë shtrembërime të të drejtave tona. Do ketë burokraci.

Studenti 3: Kam dal për të kërkuar të drejtat e mia si çdo student, qoftë për tarifat, qoftë për diçka më shumë, qoftë për 8 pikat që kemi vendosur bashkë dhe pse jo për diçka më tepër sepse ka shumë gjera që duhen bërë dhe duheshin bërë për kaq kohë sa kjo qeveri ka qenë në pushtet, qoftë edhe qeveria që ka qenë.

Si do të vijojë protesta?

Studenti 3: Protesta do të vijojë siç ka qenë ditën e parë dhe siç ka qenë gjithmonë. Kjo është e siguruar që do vazhdojë.

Nga ana tjetër Kryeministri Edi Rama vazhdimisht është shprehur se kërkesat e tyre janë të realizueshme, por kjo duhet të vijë përmes dialogut. Të njëjtën gjë ai e theksoi edhe në fjalimin e tij në seancën plenare.

Gjithashtu edhe opozita theu bojkotin e saj këtë të enjte, duke dërguar tetë deputetë në Kuvend. LSI kërkoi miratimin e dy amendamenteve shtesë në buxhetin për arsimin e lartë, por mazhoranca i rrëzoi propozimet e tyre.

Reagim kësaj here pati dhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për buxhetin 2019. Arsye të këtij mosdekretimi presidenti argumentoi situatën politike në vend si dhe konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë të konsideruara nga të gjithë aktorët si të drejta legjitime dhe të realizueshme.

Pak pas këtij vendimi reagoi sërish kryeministri, i cili në një postim në Twitter shprehet jo i çuditur për dekretin e presidentit që sipas tij vjen si rezultat i kërkesave të Lëvizjes Socialiste për Integrim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!