Studentët e Ekonomikut takohen me dekanin Dhori Kule (Video)

schedule19:45 - 17 December, 2018

schedule19:45 - 17 December, 2018

E kërkonin që prej të shtunës, por e hëna ishte dita e përballjes. Në mjediset e qendrës “Liria” në qytetin Studenti, studentët e Fakultetit Ekonomik i paraqitën ankesat e tyre dekanit të këtij fakulteti, Dhori Kule.

Studentët i kërkojnë dekanit Kule transparencën financiare, për të cilën, ai është shprehur i gatshëm të publikohet që nesër. Ndërsa studentët e ekselencës ankohen se nuk marrin bursat.

“Në qoftë se pyesim kolegët tanë në universitetin e Durrësit studentët ekselentë me mesatare 9 deri në 10 marrin bursë vit për vit, ndërkohë që në fakultetin tonë kriteri është që studenti të ketë notën 10 maksimale dhe nuk pranohet as me një 9 as me dy 9 as me tre 9”, tha një studente.

“Nuk mund të bëjë një fakultet ndryshe nga fakultetet e tjera sepse rregulli është i miratuar nga bordi në përputhje me ligjin”, u shpreh Kule.

Disa nga studentët kërkuan dorëheqjen e dekanit Dhori Kule, si përgjegjes të keqmenaxhimit dhe abuzimit, sipas tyre, në këtë fakultet. Studentët kërkojnë gjithashtu që dekani të shprehet nëse i mbështet apo jo kërkesat e paraqitura prej tyre në protestë. Por Kule është shprehur se dekanati mbështet vetem kërkesat që ka në dorë për të plotësuar, jo të gjitha.

“Për problemin e tarifave që kërkohet të përgjysmohet, nuk janë kompetencë as e dekanit, as e rektorit”, tha Kule.

Takimi i dekanit Kule me studentët vjen pak ditë pas kritikave të Kryeministrit Edi Rama për rektorët dhe dekanët e Universiteteve, në një takim me ta. Kreu i qeverisë paralajmëroi edhe rishikimin e autonomisë së universiteteve./abcnews.al