Strategjia e SHBA-së, FDA miraton dozë përforcuese me një tjetër vaksinë

schedule10:14 - 21 Tetor, 2021

schedule 10:14 - 21 Tetor, 2021

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) së fundmi ka marrë një tjetër vendim duke miratuar dozë përforcuese kundër Covid me një vaksinë tjetër nga ajo që janë vaksinuar në fillim.

Mediat e huaja bëjnë me dije se FDA ka miratuar administrimin e një doze përforcuese për të gjithë ata mbi moshën 18 vjeç që janë imunizuar me vaksinën Johnson & Johnson , por edhe për kategori të caktuara të njerëzve që janë vaksinuar me vaksinën Moderna , veçanërisht të moshuarit.

Këto janë strategji që tashmë plotësojnë vendimin e amerikanëve për aplikimin e dozave përforcuese, pas miratimit të vaksinës Pfizer për një dozë të tretë një muaj më parë.

Drejtori i Përkohshëm i FDA, Janet Woodcock në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se të dhënat tregojnë se imuniteti është në rënie te një pjesë e popullatës që është vaksinuar plotësisht, ndaj është nevoja për një dozë përforcuese.

Deri më tani, SHBA nuk është lejuar të administrojë vaksina të ndryshme kundër Covid-19, diçka që bëhet në shumë vende edhe për dy dozat e para dhe jo vetëm për përforcuesin.

Një raport amerikan i lëshuar javën e kaluar thotë se ata që kanë pasur vaksinën Johnson & Johnson mund ta kenë të dobishme të marrin një dozë përforcuese me një vaksinë të ndryshme të teknologjisë mRNA për të rritur nivelet e antitrupave të tyre.

Në mënyrë të veçantë, kushdo mbi moshën 18 vjeç i cili është vaksinuar me Johnson & Johnson të paktën dy muaj më parë tani mund të marrë një dozë shtesë, ose me të njëjtën vaksinë ose me Moderna ose Pfizer.

Tre kategori njerëzish të cilëve u është dhënë vaksina Moderna të paktën gjashtë muaj më parë mund të marrin një dozë përforcuese, pjesë e kësaj janë ata mbi 65 vjeç, ata që kanë një ekspozim të lartë ndaj koronavirusit për shkak të punës së tyre dhe ata të moshës 18 deri në 64 vjeç që janë në rrezik për sëmundje të rëndë.

Të njëjtat kushte zbatohen për ata që janë imunizuar me vaksinën Pfizer./abcnews.al