“Mungesa e Kurtit, e pafalshme”, Arifi: Strategjia e tij e dobët po penalizon Kosovën

schedule14:00 - 29 Shkurt, 2024

schedule 14:00 - 29 Shkurt, 2024

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi ka deklaruar se strategjia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të mos qenë pjesë e Samitit BE-Ballkani Perëndimor është e dobët, pasi Kosova është e rëndësishme për të gjithë rajonin.

Në një lidhje me Skype për “Tirana Live”, ai tha se kryeministri jonë, Edi Rama po justifikon mungesën e tij si vëllai i madh.

Sipas Arifit, udhëheqja e Kurtit këto tre vitet e fundit ka dëmtuar shumë Kosovën.

 “Kosova është e rëndësishme për të gjithë rajonin dhe më të rëndësishme e bën të gjithë rezultatin e dialogut dhe është një shtysë më e madhe në drejtim të asaj që gjithë rajoni do të futet në BE. Për këtë arsye kjo e bën dhe më fatkeqë dhe më të dhimbshëm, kur shohim një Kosovë të tre viteve të fundit, e cila dialogun e ka përdorur për konsum të brendshëm politik, sesa për avancim të jashtëm ndërkombëtar. Kosova këto tre vite ka kaluar situata nën udhëheqjen e Kurtit, të cilat kanë mundur ta dëmtojnë më shumë Kosovën sesa ta ndihmojnë. Pra, vetë mosprezenca e Kurtit në samitin e sotshëm, që ia lejoi vetes të ishte prezentë vetëm me videomesazh, tregon që kemi një udhëheqje në Kosovë, e cila është antishqiptare kur bëhet fjalë për faktorizimin e shqiptarëve në rajon. Mua më vjen shumë keq, sepse dëshmitarët thonë tërë kohës se Shqipëria po kalon një fazë të faktorizimit politik në gjithë rajonin dhe kush po punon kundër? Është Rusia, Serbia dhe Albin Kurti me inatet personale me Edin.

Edi Rama ka vepruar si një burrështetas, vëlla shqiptar, ashtu duhet vepruar dhe kur e ke vëllain tënd të vogël gabim, pra në një farë mënyre po e justifikon vëllain tënd të vogël. Nuk ka arsye pse të mos vinte sot në samitin në Tiranë, vetëm në rast se do të ishte në spital duke luftuar për jetën. Kështu që në këtë drejtim, Kurti vazhdon me atë idenë e vetë, se në këtë formë mendon se i bën ‘shtypje’ dikujt në nivel ndërkombëtar, kjo është strategji e dobët tej mase. Sa i përket Vuçiçit, unë dhe populli im në Luginën e Preshevës e dimë më mirë se Albin Kurti se kush është Vuçiç dhe po jetojmë më mirë diskriminim në Luginën e Preshevës. Ne po i them Albin Kurtit mos e lejo veten të ndërtosh strategji të dobët në kuadër të Vuçiç dhe Serbisë, por ndërto strategji të forta në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe me Shqipërinë. Ne e themi nga vuajtja, jo nga luksi i lirisë, sepse fundja Kosova është e lirë, ne në Luginën e Preshevës nuk jemi të lirë. Ne kur i themi Albinit forco bashkëpunimin me Edi Ramën, Tiranën, Brukselin dhe Uashingtonin, e themi nga vuajtja”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!