Steven Gerrard për Eros Grezdën: Fansat do ta duan

schedule08:52 - 30 Gusht, 2018

schedule 08:52 - 30 Gusht, 2018

Legjenda e Liverpool-it, tashmë trajner  i skuadrës skoceze të Rangers, Steven Gerrard, beson se Eros Grezda do të jetë një nga lojtarët që tifozët do ta duan menjëherë.

23-vjeçari do të kalojë në Skoci për një marrëveshje që mund të shkojë deri në 2 milionë paund.

Gerrard foli për të nga Rusia gjatë konferencës para ndeshjes kundër FC Ufa që është e vlefshme për Europa League.

“Grezda po kryen vizitat mjekësore dhe nuk mund të them shumë derisa gjërat të përcaktohen qartë. Por ai është një lojtar i shkëlqyer dhe fansat do ta duan sepse mund të kontribuojë në fazën e fundit. Është shumë i shpejtë, direkt dhe ka eksperiencë ndërkombëtare”, u shpreh Gerrard.

Ish-mesfushori i Liverpool-it tregoi gjithashtu se ka folur me ish-shokun e Grezdës në Osijek, Borna Barisiç dhe kroatin Nikola Katiç, të cilët e kanë lavdëruar 23-vjeçarin.

“Sipas Borna-s dhe Katiç, ai ishte lojtari më i mirë i Osijek sezonin e kaluar. Ai është lojtar shumë i rrezikshëm. Nuk është se dua që të dëmtohet ndonjëherë ndonjë lojtar, por jam shumë i lumtur që nuk luajti kundër nesh. Nëse çdo gjë shkon mirë, ai do të jetë një lojtar i madh për ne që të lëvizim përpara”, tha Gerrard.

Osijek luajti kundër Rangers në ndeshjen e vlefshme për Europa League. Fatkeqësisht Grezda nuk luajti asnjë ndeshje për shkak të një dëmtimi. Në këtë mënyrë, Eros Grezda do të bëhet lojtari i dytë që Gerrard nënshkruan nga Osijek. Më parë, ai mori nga skuadra kroate Borna Barisiç.  /abcnews.al