Abuzim me tenderin 7 mln lekë në Bashkinë e Durrësit, 8 të arrestuar, 6 prej tyre zyrtarë

schedule08:29 - 29 Tetor, 2021

schedule 08:29 - 29 Tetor, 2021

Tetë persona janë arrestuar nga policia, një është lënë në arrest shtëpie dhe një tjetër detyrim paraqitje në kuadër të një operacioni të finalizuar nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera në Bashkinë e Durrësit. Në pranga janë vënë 6 zyrtarë të bashkisë së Durrësit dhe dy punonjës të kompanive private.

Sipas njoftimit të SPAK dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë manipuluar garën për tenderin me vlerë të fondit limit prej 7 083 000 lekë në periudhën Maj-qershor 2020 për blerje autoshkalle për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin (MZSH).

Adriatik Velaj, Muhamet Likazhi dhe Artan Taho në cilësinë e anëtarëve të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit pranë Bashkisë së Durrësit në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të ofertave Patriot Beqaraj, Indrit Matmuja, dhe Gjergj Markola  kanë shkelur barazinë në tendera duke favorizuar shoqëritë R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k.

Nga hetimi ka rezultuar se Albion Bushi, Lulzime Rami, Riza Sulaj dhe Elona Rami me detyrë administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive të shoqërive të përfshira në këtë aferë kanë falsifikuar dokumentet dhe i kanë paraqitur ato në kuadër të garës, për të përfituar tenderin për autoshkallën për mbrojtjen nga zjarri me vlerë mbi 7 milionë lekë të reja.

Të arrestuar

  1. Adriatik Velaj-  Drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri Durrës
  2. Muhamet Likazhi – Zyrtar i bashkisë, anëtar i grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit
  3. Artan Taho – Zyrtar i bashkisë, anëtar i grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit
  4. Patriot Beqaraj – Ish-Drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
  5. Indrit Matmuja – Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
  6. Gjergj Markola – Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
  7. Riza Sulaj –  Administrator i Klosi – R Company sh.p.k (përfituese në tender)
  8. Albion Bushi – Administratori i  R&R GROUP (përfituese në tender)

Arrest shtëpie

  1. Lulzime Rami – Ortake në R&R GROUP (përfituese në tender)

Detyrim Paraqitje

  1. Elona Rami – Ortake në R&R GROUP (përfituese në tender)

m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!