Një grup kriminal kompleks i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës u godit nga Prokuroria e Posaçme, e cila lëshoi 11 masa sigurie arrest në burg, ku vetëm tre prej tyre u ekzekutuan nga policia e shtetit dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Tabelë në pranga nga SPAK:
Florian Marku, i datëlindjes 20.2.1992
Lulzim Pepaj, i datëlindjes 06.7.1974
Anton Kola, i datëlindjes 19.6.1993
SPAK ka zbardhur dhe dokumentuar 8 episode të trafikut ndërkombëtar të kokainës në sasi të mëdha, të transportuara në periudhës 2019-2021 nga Amerika Latine drejt Belgjikës dhe Holandës. Ngarkesat u zbuluan nga hetimet e thelluar të kryera nga prokurori Alfred Shehu, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin SkyEcc.
Episodi 1- Sekuestrohen 8.5 kg kokainë në Amsterdam në 21.03.2020
Episodi 2- U trafikua nga Peruja në portin e Roterdamit mbi 1 ton kokainë në 7 dhe 8 prill 2020. Vlera e shitjes mbi 1.3 milionë euro
Episodi 3- U trafikua nga Ekuadori në portin e Roterdamit mbi 2 ton kokainë në 06.06.2020.
Episodi 4- U tentua të trafikohej sasia prej 516 kg kokainë, e cila u nis nga Peruja drejt Holandës në 26.06.2020.
Episodi 5- U trafikuan 500 kg kokainë në portin e Roterdamit. Ngarkesa erdhi nga Kolumbia në 30.06.2020.
Episodi 6- U trafikua 1.6 ton kokainë në Holandë, në 07.08.2020.
Episodi 7-U trafikua mbi 1.1 ton kokainë në portin e Roterdamit. Ngarkesa vinte nga Ekuadori në 16.08.2020.
Episodi 8- U trafikua sasia prej 530 kg kokainë në portin e Roterdamit, në 02.10.2020.
Prokuroria e Posaçme sekuestroi pasuri me vlerë 12 milionë euro, ndërsa GJKKO vendosi në sekuestro preventive 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim.
Pasuritë përfshijnë 7 shoqëri, 60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë, 89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme, 72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.
SPAK njoftoi se policia e shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.
Organi i akuzës po vijon hetimet me qëllim identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.


