“Sot vrasim duke qenë bartës të një virusi”, kryebashkiaku i Vlorës tregon se si po menaxhohet COVID-19

schedule14:24 - 27 Mars, 2020

schedule 14:24 - 27 Mars, 2020

Krybashkiaku i Vlorës Dritan Leli në një lidhje me “Abc News” ka folur për menaxhimin e COVID-19 në Vlorë.

Ai theksoi se distancimi social është shumë i rëndësishëm, duke i bërë thirrje qytetarëve se nuk është koha për shëtitje, por të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit duke qëndruar në shtëpi.

Gjithashtu kryebashkiaku Dritan Leli u shpreh se që në momentin që u shpall lista e personave që duhet të karantonohen, është bërë i mundur identifikimi i këtyre personave për ti izoluar në banesë. Kjo sipas tij është bërë i mundur në bashkëpunim me Policinë  dhe stafin e shëndetësinë.

“Ka vazhduar dezinfektimi në të gjitha ambientet ku personat e prekur kanë jetuar. Shpërndarja e ndihmave ushqimore ka nisur që në ditët e para, ndërsa sot jemi në fazën e asistencës për ti ardhur në ndihmë të moshuarve. Për 1500 familje që janë me ndihmë ekonomike është bërë e mundur shpërndarja ushqimore. Është një armatë e tërë që po punon për ti ardhur në ndihmë këtyre personave”, deklaroi Leli.

Gjithashtu ai u shpreh se një tjetër paketë ekonomike do të krijohet për personat që mund të kenë mbetur pa u regjistruar.

“Po krijohet një tjetër paketë ndihme, për familjet që mund të jenë pa u regjistruar. Komuniteti rom padyshim që është i përfshirë. Bashkia ka detyrimin e saj për të ndihmuar çdokënd që është në vështirësi, por duhet edhe solidarizim për të bërë të mundur shpërndarjen në kohë për të gjithë personat në vështirësi ekonomike.

Situata e të pastrehëve është zgjidhur. Kam pasur vetëm një kërkesë dhe kjo është zgjidhur.

Deri sot nuk ka asnjë të raportuar që të kenë mbetur pa strehë. Respektimi i distancave njerëzorë është respektimi i jetës.

Sot nuk vrasim me armë, por vrasim duke qenë bartës të një virusi që po “gjunjëzon” njerëzimin. Është një çështje e përbotshme që kërkon ndërgjegjësim të qytetarëve”, tha ndër të tjera kryebashkiaku Leli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!