Studentët e universtiteve publike kanë vijuar protestën përpara Kryeministrisë. Në ditën e 15-të të protestës së tyre ata kanë qëlluar me vezë Kryeministrinë, ndërsa studentët që ishin në bashkëbisedim me Kryeministrin thanë se nuk i përfaqësojnë.
Kanë gjetur mënyra të ndryshme për t’i treguar kryeministrit se nuk do të dialogojnë me të. Studentë nga fakultete të ndryshme vijojnë protestën përpara godinës së kryeministrisë. Ata që ishin në bashkëbisedim me shefin e qeverisë thonë se nuk i përfaqësojnë.
“Këto mbledhje bëhen ose nga servilët, ose nga partiakë ose nga njerëz që kanë humbur besimin, po të jesh i sigurt që janë pakicë, se po të ishin shumica kjo protestë do kishte marrë fund”.
“Studentët e vërtetë janë këtu me ne, nuk ka asnjë në zyra që po bëjne bashkëbisedim me kryeministrin”.
Për të shprehur revoltën e tyre, të martën gjetën një tjetër mënyrë.
“Disa nga studentët kanë qëlluar me vezë kryeministrinë. Kjo është hera e parë që qëllohet në mënyrë demonstrative drejt kësaj godine”.
Studentët shprehen për përshkallëzim të protestës, nëse Kryeministri nuk jua plotëson tetë kërkesat tashmë publike prej ditësh.
“Do vazhdojmë me bllokimin e rrugëve dhe mendoj se duhet ta përshkallëzojmë më tepër”.
Kjo ishte dita e 15 e protestës së studentëve nga universitetet publike në vend.
Gazetarë: Ajgena Korbi, Andi Qosja
/abcnews.al