Sot 105 vjetori i festës kombëtare

schedule09:21 - 28 Nëntor, 2017

schedule 09:21 - 28 Nëntor, 2017

Dita e 105 vjetorit të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë do të kremtohet sot në Vlorë me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta nga Shqipëria dhe Kosova. Dy kabinetet udhëtojnë nga Korça, ku dje zhvilluan mbledhjen e tyre të përbashkët, drejt qytetit të flamurit. Në orën 11,45 është parashikuar mbërritja në sheshin Pavarësia e Vlorës, ku do të zhvillohet ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe nderimi për atin e pavarësisë, Ismail Qemali. Ceremonia do të kryesohet nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe përveç kryeministrit Rama të pranishëm do të jenë edhe autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës.

Aktivitetet më pas do të vazhdojnë në shtëpinë muze të pavarësisë, ku do të shpallet dhe logoja zyrtare e vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në këtë aktivitet do të kenë nga një fjalë të rastit kryeministrat Rama dhe Haradinaj si dhe presidentët Meta e Thaçi.

Pas ceremonive në Vlorë, në darkë në orën 19.00 do të ketë një pritje shtetërore në Pallatin e Brigadave, organizuar nga presidenti i Republikës Ilir Meta./abcnews.al