Sondazhet në Greqi: Opozita në avantazh të ndjeshëm

schedule22:14 - 25 Shkurt, 2019

schedule 22:14 - 25 Shkurt, 2019

“Demokracia e re” në Greqi, shënon një avantazh të ndjeshëm ndaj partisë në pushtet, sipas sondazheve të fundit të kryera në vend. Në rast se vërtetohen parashikimet e sondazheve, parlamenti i ri grek do të ketë pesë parti.

Sondazhi më i fundit në Greqi, lidhur me preferencat e elektoratit, tregon një avantazh të dukshëm të partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re.

Konservatorët e drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis rezultojnë të marrin në zgjedhje 39% të votave, kundrejt 24,5% që marrin radikalët e majtë të kryeministrit Tsipras.

Pasojnë socialistët e Lëvizjes për Ndryshim (ish-PASOK), dhe në vend të katërt ekstremistët e djathtë të Agimit të Artë.

Pazëlli plotësohet me partinë komuniste që sondazhi e paraqet të marrë 6,5% të votave.

Në rast se vërtetohen parashikimet e sondazhit, atëherë parlamenti i ardhshëm grek do të ketë pesë parti.

Një përfundim i tillë i betejës elektorale do të favorizonte fituesit e zgjedhjeve, duke i dhënë një maxhorancë absolute me deri 173 në ndenjëse në parlamentin 300 anëtarësh.

Ligji elektoral grek përcakton që sa më pak parti të hyjnë në parlament, aq më tepër shtohet numri i vendeve për partinë që fiton zgjedhjet.

Në Greqi janë shtuar ditët e fundit spekulimet se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në muajin maj, bashkë me atë europiane dhe zgjedhjet për pushtetin lokal.

Lideri i opozitës e konsideron të sigurt këtë zhvillim. Mirëpo kryeministri Tsipras përsërit me ngulm se zgjedhjet do të mbahen në përfundim të mandatit, pra në Tetor./abcnews.al