SKENARI/ Mjekët në spitalet rajonale gati për trajtimin e pacientëve me koronavirus

schedule10:52 - 11 Nëntor, 2020

schedule 10:52 - 11 Nëntor, 2020

Autoritetet Shëndetësore kanë njoftuar se me plotësimin e kapaciteteve në 4 spitalet COVID do të hapen spitalet rajonale me qëllim trajtimin e pacientëve të infektuar.

Në kuadër të këtij plani për përballimin e vjeshtë-dimrit, mjekët e njohur të dy spitaleve Covid kanë zhvilluar një trajnim për mjekë dhe infermierët nga spitalet dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Në këtë trajnim kanë marrë pjesë 345 persona, personel mjekësor.

Ministria e Shëndetësisë e cila ka njoftuar sot edhe përfundimin e trajnimit thotë se pjesë e këtij trajnim kanë qenë sfidat që ata mund të hasin për përballimin e urgjencave, mënyrat e trajtimit sipas formës së sëmundjes, medikamentet e përdorura, udhëzuesin dhe principet e trajtimit tek fëmijët për përballjen me virusin e rrezikshëm SarsCov2.

“345 mjekë dhe infermierë nga spitalet dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin janë trajnuar nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, Spitali Infektiv dhe Spitali Pediatrik i QSUT dhe Spitali ‘Shefqet Ndroqi’.

Mjekët dhe infermierët u trajnuan për përballimin e urgjencave, mënyrat e trajtimit sipas formës së sëmundjes, medikamentet e përdorura, udhëzuesin dhe principet e trajtimit tek fëmijët për përballjen me virusin e rrezikshëm SarsCov2.
Trajnimi u krye nga Dr. Skënder Brataj, Prof. Najada Çomo, Prof. Gjeorgjina Kuli dhe Prof. Silvana Bala.

Stafet mjekësore pjesëmarrëse kanë zhvilluar gjithashtu një testim me shkrim mbi njohuritë e marra mbi trajtimin e COVID19 dhe për përballimin e situatës së vështirë me të cilën po përballen sistemet shëndetësore në mbarë globin”, thuhet në njoftim.

Aktualisht në tre spitalet COVID po marrin trajtim mjekësor 367 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 3 të intubuar. Dy spitalet e para kanë plotyësuar kuotat e tyre, ndërsa me mbushjen e spitalit COVID-3, pritet hapja e katrës./mv.abcnews.al