Një biznes në afërsi të Golemit në Lushnje është grabitur gjatë natës. “ABC News” mëson se bëhet fjalë për një thertore, ku disa persona kanë hyrë dhe kanë vjedhur kasafortën. Po ashtu kanë marrë edhe një nga furgonët e kompanisë me të cilën kanë bërë transportimin dhe janë larguar nga vendngjarja.
Por gjatë largimit automjeti ka rënë në një kanal kullues, në dalje të fshatit Golem i Vogël. Autorët më pas janë largur me një mjet tjetër, dhe kanë dalë në autostradën Lushnje-Rrogozhinë. Në automjetin e rënë në kanal është gjetur edhe kasaforta.
Policia pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka kryer ekspertizën dhe ka dokumentuar provat që mund të çojnë në kapjen e autorëve të përfshirë. Po ashtu po merren edhe pamjet filmike për të hedhur më shumë dritë rreth ngjarjes.
Në një reagim zyrtar policia ka sqaruar janë shoqëruar dy persona, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Golem, Lushnjë, persona të paidentifikuar, në subjektin tregtar (thertore) në pronësi të një shetasi, kanë vjedhur automjetin tip fugon dhe kasafortën.
Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, për t’iu shmangur Policisë, autorët janë larguar në një rrugë dytësore dhe si pasojë, në fshatin Golem automjeti ka dalë nga rruga dhe u gjet nga shërbimet e Policisë. Gjatë këqyrjes së automjetit, është gjetur edhe kasaforta e vjedhur nga autorët, e pa hapur.
Policia ka shoqëruar 2 shtetas, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
/abcnews.al/