Raundi i parë i një rivaliteti të madh dhe të gjatë në këtë sezon të futbollit anglez shkon për Manchester City. Skuadra e Pep Guardiola triumfoi në finalen e Kupës së Ligës, duke mundur 2-0 Arsenal.
Sfida e luajtur në “Ëembley” shpërbleu parashikimet, për futbollin e nivelit të lartë, luftën sportive dhe emocionet. Pjesa e parë e ndeshjes ishte më e mirë për “Topçinjtë” e Londrës. Të besuarit e Mikel Arteta provuan më shumë për të gjetur golin e epërsisë, por nuk ia dolën në tentativat e tyre.
Në fraksionin e dytë, rolin e protagonistit e mori një i papritur i madh. Ai ishte Nico O’Reilly.
Futbollisti 21 vjeçar ndryshoi rrjedhën e sfidës në minutën e 60-të, kur shënoi golin e avantazhit për Manchester City.
Vetëm katër minuta më pas, po vetë dyfishoi diferencën dhe vulosi triumfin për “Cityzens”.
Të kota përpjekjet e Arsenal, ndërsa në fund e gjithë festa ishte për Mancgester City që merr trofeun e rëndësishëm të futbollit anglez.
Por “lufta” mes dy rivalëve të mëdhenj të këtij sezoni vazhdon, ndërsa “Topçinjtë” mund të marrin revanshin në Premier League, ku kryesojnë me një diferencë qetësie në garën për titullin kampion.


