“Jo efikas mësimi online”, studentët pa pasaportë vaksinimi ose tampon s’lejohen në auditore

schedule12:52 - 12 Tetor, 2021

schedule 12:52 - 12 Tetor, 2021

Studentët të cilët nuk disponojnë një pasaportë vaksimimin të COVID 19, përgjigjet e një tamponi apo analize të freskët që tregojnë se s’janë me viruts, nuk do të lejohen të ndjekin vitin e ri akademik 2021-2022. Pak ditë nga fillimi vitit akademik, në mjediset e kampusit të universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës është hapur qendra e vaksinimit, në mënyrë që studentët që nuk e kanë bërë vaksinën, ta shfrytëzojnë mundësinë që kanë një javë para nisjes së mësimit.

Qendra e vaksinimit në universitet është inspektuar sot edhe nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila tha se është mjaft e rëndësishme që është marrë vendimi për zhvillimin e mësimit në auditorë dhe për këtë arsye studentët duhet të vaksinohen sa më parë që të mos ketë probleme në të ardhmen.

Ne të gjithë duam që të mos kemi më ndërprerje të shkollave, të mos kemi më mësime që kryheshin në mënyrë të alternuar, por ajo çfarë ne duam dhe çfarë ne synojmë është që mësimi tashmë të bëhet në auditore. E vetmja mënyrë që mësimi të vijojë normalisht, të zhvillohet në auditore, sipas programeve përkatësë të çdo universiteti dhe fakulteti, është pikërisht që të vaksinohemi”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të intensifikohet procesi i vaksinimit, duke rritur aksesin për studentët.

Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër të fushatës së vaksinimit të personave mbi 18 vjeç dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë janë në terren. Gjatë kësaj jave ne kemi filluar bashkëpunimin me strukturat e arsimit të lartë. Ju e shihni që tashmë vetë rektorët janë të angazhuar, të gjithë stafet e tyre për të njoftuar studentët që kjo javë është javë vaksinimi. Sepse duke filluar nga java tjetër do të duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit për vijimin e procesit normal mësimor. Vaksina është e vetmja armë që të shpëton jetën. Ashtu sikurse ekspertët thonë dhe ajo çfarë konfirmohet ditë pas dite është jo vetëm efektiviteti i vaksinës përsa i përket uljes së transmetueshmërisë por gjithashtu vaksina mbron deri në 100% format e rënda të sëmundjes dhe gjithashtu dhe fatalitetet”, tha Manastirliu.

Të njëjtin mendim mbështeti dhe rektorja e universitetit Kseanela Sotirovski. Ajo tha se numri i studentëve të vaksinuar nuk është në nivelinqë duhet, por  nënvizoi se në dy ditët e para të hapjes së qendrës së vaksinimit, pjesëmarrja e stduentëve ka qenë e kënaqshme. Sakaq shtoi se nga e hëna tjetër nuk do të lejohen studentë pa kartë vaksinimi apo test PCR.

Ne kemi një bazë të dhënash për numrin e studentëve të vaksinuar nuk është në nivelin që duam dhe 100%. Interesi sot dhe dje i studentëve ka qenë i konsiderueshëm dhe na ka dhënë shpresë që mund të fillojmë një vit akademik të suksesshëm.  Nuk ka më efikasitet mësimi online duhet të jetë vetëm në universitete”, tha rektorja.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,803,799 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 834,469 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID. Ditën e hënë, datë 11 tetor, janë kryer 6,339 vaksinime në të gjithë vendin.  Vaksinimi është i hapur dhe të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën e tyre shëndetësore, në poliklinika ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, çdo ditë, nga 08:00-20:00, për të kryer vaksinën antiCovid. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,262,960 vaksina antiCOVID./Abcnews.al