Operacionet për shuarjen e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit vijojnë me forca të shtuara tokësore dhe ajrore. Në terren janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale, ndërsa nga Forcat e Armatosura marrin pjesë 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Dajt vijon ndërhyrja e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga një helikopter i Forcës Ajrore. Në Priskë të Madhe operojnë 4 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë. Sipas të dhënave të operacioneve, në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Drenie, bashkia Patos, pas riaktivizimit të vatrës, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 7 automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca të Policisë dhe shërbimit pyjor, si dhe vullnetarë. Operacioni u mbështet nga dy avionë “Air Tractor”, ndërsa sot ndërhyrja vijon edhe me 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Krujë operacionet vijojnë në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet angazhimi i 58 efektivëve të FA-së dhe dy helikopterëve. Ndërkohë, në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, në bashkëpunim me forcat e ADZM-së dhe strukturat vendore. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Nëmërçkë, puna vijon me forcat e MZSH-së, bashkisë dhe 25 efektivë të FA-së. Në malin Dhëmbel operojnë forcat zjarrfikëse të Përmetit, të mbështetura nga 30 efektivë ushtarakë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, ADZM dhe vullnetarë, si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, dy helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Për shkak të afërsisë së flakëve me disa banesa, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre për të garantuar mbrojtjen e komunitetit.
Aktive mbetet edhe vatra në malin e Moravës, bashkia Devoll, në një zonë të mbrojtur të mbuluar me pyll pishe. Në terren po ndërhyjnë forcat e MZSH-së Devoll dhe Korçë, së bashku me shërbimin pyjor. Për momentin nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Autoritetet vijojnë operacionet me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe komuniteteve, frenimin e përhapjes së flakëve dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.


