Siri, ushtria merr nën kontroll të plotë rrethinat e Damaskut

schedule22:40 - 21 Maj, 2018

schedule 22:40 - 21 Maj, 2018

Regjimi sirian ka deklaruar se ka marrë nën kontroll të plotë territoriet përreth Damaskut, dikur bastione të Shtetit Islamik. Militantët ndërkohë kanë nisur arratinë drejt zonave lindore të Sirisë.

Ushtria siriane ka deklaruar të hënën se ka marrë nën kontroll të plotë të gjitha zonat përreth Damaskut, për herë të parë në 6 vjet luftë. Një gjeneral i forcave të armatosura ka thënë në një konferencë shtypi se zonat në fjalë tashmë janë tërësisht të sigurta.

Njoftimi vjen pas një seri operacionesh ushtarake për spastrimin e rajoneve pranë kryeqytetit nga prania e Shtetit Islamik. Kjo ka bërë që shumë prej militantëve të vriten, ndërsa të tjerë të largohen me autobusë drejt lindjes së Sirisë.

Ndërkohë, mbeten për t’u marrë territoret Jarmuk dhe Haxhar al Asauad. Konflikti në Siri nisi në vitin 2011, me qytetarët që u ngritën kundër Bashar al Assad dhe më pas me Perëndimin që u rreshtua përkrah tyre për rrëzimin e presidentit.

Një vit më vonë qeveria filloi të humbiste terren përballë terroristëve dhe milicive, por hyrja e Rusisë dhe Iranit në konflikt ndryshoi rrjedhën e luftës në favor të regjimit. Rrjedhimisht, në vitet e fundit presidenti Assad ka arritur të rivendosë pushtetin e tij në kryeqytet dhe në perëndim të Sirisë. Që prej vitit 2011, konflikti i armatosur u ka marrë jetën 350 mijë personave dhe ka zhvendosur 11 milionë të tjerë./abcnews.al