Siri, raketa kundër bazave ushtarake

schedule10:19 - 30 Prill, 2018

schedule 10:19 - 30 Prill, 2018

Sulmet me raketa gjatë natës në Siri kanë lënë 40 viktima, mes tyre 18 ushtarë iranianë. Objekt i sulmit ishin disa baza ushtarake, ndërsa Damasku akuzon SHBA-në dhe Britaninë.

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe 60 të tjerë mbetën të plagosur në sulmet raketare të lëshuara gjatë natës kundër vendndodhjeve të ushtrisë së presidentit Bashar al-Assad në veri të Sirisë. Kjo është raportuar nga shtypi iranian, ISNA, duke nënvizuar se mes viktimave gjenden dhe 18 iranianë. Raketat kanë goditur baza ushtarake në Hama dhe Aleppo. Sipas mediave zyrtare siriane, sulmet janë nisur nga bazat britnaike dhe amerikane në veri të Jordanisë.

Në fillim të Prillit, 7 ushtarë iranianë u vranë në sajë të një sulmi kundër një baze ajrore në Homms. Damasku, Teherani dhe Moska, në atë periudhë akuzuan Izraelin, shtet i cili më pas as e mohoi, por as e konfirmoi.

Në më pak se dy javë ishte folur për një sulm të mundshëm kundër instalimit të ushtrive qeveritare në lagjet afër Damaskut dhe në disa rajone të tjera. Vetë forcat e regjimit të Assad kishin thënë në atë kohë se bëhet fjalë për një alarm fals dhe në këtë mënyrë ulën vigjilencën dhe sistemin e tyre të mbrojtjes.

Ndërkohë, më 14 Prill, territori sirian u bombardua nga një operacion ushtarak i përbashkët, SHBA-Francë-Mbretëri e Bashkuar si kundërpërgjigje ndaj regjimit për shkak të një sulmi të dyshuar me armë kimike. Për këtë Damasku dhe Moska pretendojnë se është një fabrikim i perëndimit për të justifikuar ndërhyrjen e tyre. Megjithatë, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka marrë kampionët e nevojshme në Douma të Sirisë dhe po analizon nëse aty është përdorur apo jo armë kimike./abcnews.al