Sirenat turke nuk ndalojnë, Xhaka mes Basel e Besiktas

schedule14:15 - 14 Gusht, 2020

schedule 14:15 - 14 Gusht, 2020

Taulant Xhaka është në një udhëkryq të karrierës. Mesfushori i kombëtares shqiptare dëshiron të luajë te Basel në Zvicër, por mund të transferohet te Besiktas në Turqi.

Është në moshën e pjekurisë së plotë dhe mund ta ketë edhe një kontratë të rëndësishme. Taulant Xhaka, mesfushori mbrojtës i kombëtares shqiptare, mund të kalojë tek Besiktash në Turqi për të vazhduar atje karrierën, ndërsa që prej muajit mars ka mbushur 29 vjeç.

Futbollisti i rëndësishëm i Basel, me gjasë dëshiron të ketë një përvojë tjetër në jetën sportive, në një ligë më të fortë se ajo zvicerane, ndonëse mediat helvete japin lajme kontradiktore. E përditshmja “Blick”, së cilës i referohen edhe gazeta në internet, shkruan për një intervistë me Xhakën, ku ai mohon largimin.

“Synimi im është të përfundoj karrierën tek Bazeli, – është shprehur shqiptari I Zvicrës, – nuk dua që të luaj për ndonjë klub tjetër. Nëse presidenti më jep një kontratë të përjetshme, unë do ta nënshkruaj. Paratë nuk kanë asnjë rol në vendimin tim, unë dua vetëm që Bazeli të më japë besim”.

Nga këto fjalë kuptohet se Xhaka mund të mos ndihet i sigurt për të ardhmen e tij në skuadrën ku është formuar si futbollist dhe ku ka kaluar gjithë karrierën, me përjashtim të dy sezoneve të vetëm.

Ai ka luajtur mbi 350 ndeshje në Zvicër dhe ka shënuar 12 gola, ndërsa me kombëtaren shqiptare ka 31 ndeshje duke shënuar rrjetën në fitoren 1-0 ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve, në stadiumin “Elbasan Arena” në shtator të vitit 2018. /abcnews.al