Si zhdukja e Tauland Malshit në Spanjë solli një zinxhir atentatesh, e ëma rrëfen takimin e fundit me të birin

schedule22:12 - 26 Janar, 2022

schedule 22:12 - 26 Janar, 2022

Rrëmbimi dhe zhdukja e Tauland Malshit në Spanjë, në fundgushtin e vitit 2018, mendohet se solli edhe një zinxhir atentatesh, ku personazhe kryesorë rezultonin të ishin njerëz që kishin gisht në eleminimin e tij. Emisioni “Në shenjestër” publikoi për herë të parë detaje nga zhdukja pa gjurmë e Malshit, një histori që mbart plot mistere, por edhe përfshin shumë personazhe të botës së krimit.

Ngjarje kriminale, ku në qendër të të gjithë përplasjeve, duket se ishin sasitë e mëdha të humbura të kokainës. Apo pazaret e prishura të drogës, midis bandave shqiptare që operonin në vende të ndryshme të Evropës. Një ndër këto emra që do të dilte i përfshirë në këto atentate, është edhe Edmir Vlashi. Ai që do të rezultonte të ishte edhe personi i fundit që shoqëroi dhe pa në të gjallë në Spanjë, Tauland Malshin. Ai që i dha lajmin familjes së këtij të fundit për pengmarrjen dhe zhdukjen e tij nga Fatbardh Dervishi Doda. Personazh i cili sot akuzohet dhe është në kërkim nga policia si një nga organizatorët e atentatit të dështuar ndaj biznesmenit Prend Paluca, me banim në Kamëz.

Ngjarje kriminale kjo, e cila u parandalua nga policia më 8 dhjetor 2021. Ku Edmir Vlashi me shokun e tij Hektor Ndoka, kishin mundësuar të gjithë bazën e duhur materiale për të kryer vrasjen. E cila do të kryhej me minë të telekomanduar. Atentat, i cili do nëse do të përfundonte me sukses do të ishte i treti në radhë që do të kryhej ndaj sipërmarrësit Paluca.

Ku, lidhur mbi atentatin e fundit të dështuar, policia arrestoi Nikollë dhe Marije Markun. Të cilët kishin vendosur lokalin e tyre në Lezhë, në dispozicion për armatimin që do të përdorej në eleminimin e Palucës. Ku gjatë kontrollit u gjetën dy mina me telekomandë të prodhuara jashtë vendit si edhe një arsenal i madh armësh, ndër to edhe me shënjestër optike dhe silenciator. Si edhe radiomarrëse policie.

Ndërsa në pranga ra edhe Mark Lamkja, dhëndrri i çiftit të bashkëshortëve, Marku. Po përse Edmir Vlashi dhe shoku i tij Hektor Ndoka ishin të interesuar të eleminonin Prend Palucën?

Zyrtarisht Prokuroria e Lezhës thotë që Edmir Vlashi që mban edhe mbiemrin Marku, dhe Hektor Ndoka që mban edhe mbiemrin Sadiku, po kërkonin të vrisnin Prend Palucën për shkak të një përplasje të lindur jashtë vendit midis Edmirit dhe vëllezërve të Palucës. Konflikt, që ishte përshkallëzuar, për shkak të humbjes së një sasie të madhe kokaine në Belgjikë. Ndaj për këtë arsye, ata kishin vendosur që të hakmerreshin ndaj Palucës në Shqipëri.

Sipas organit të akuzës, përplasjet për drogën midis Vlashit dhe vëllezërve Paluca kishin nisur që në vitin 2017. Prend Paluca mësohet se ka disa vëllezër të shpërndarë në Evropë.

Por, në pamundësi për të rënë në gjurmët e tyre, Edmir Vlashi dhe baxhanaku i tij Hektor Ndoka, të dënuar më herët në Belgjikë për grabitje me armë dhe drogë, vendosën të vrisnin, Prend Palucën. Njërin nga vëllezërit e Palucajve që jeton në Shqipëri.

Atentat që ishte i fundit në radhë ndaj tij, por që ishte paraprirë nga dy të tjerë. Më i rëndi, i ndodhur më gusht të vitit 2021. Ku Prend Paluca mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri në pragun e banesës së tij në Kamëz.

Shënjestra e atentatit

Më datën 7 gusht 2018 rreth orës 07:30 kam dalë nga banesa dhe kam shkuar në aktivitetin tim privat, i cili ndodhet pranë kthesës së Valiasit. Në punë kam qëndruar deri rreth orës 17.30. Më pas me furgonin tim dhe me dy shokë kam shkuar tek një lokal në rrugën “Berisha”. Aty kemi qëndruar deri rreth orës 19:30- 20.00.

Më pas kam ikur në shtëpi me njërin prej shokëve, ndërsa shoku tjetër ka ikur me biçikletë. Kur kam shkuar në shtëpi, bashkëshortja më ka thënë se do të shkonim tek shtëpia e një të njohurës tonë që quhet Vojsava.

Në banesën e saj kemi qëndruar deri rreth orës 21.40, ku kanë ardhur dhe vajzat tona. Më pas me mjetin tonë kemi ikur drejt shtëpisë.

Fillimisht kemi ndaluar tek një furrë buke dhe më pas kemi vazhduar për në rrugën “Kosova”. Sapo kam hapur derën më është afruar një person i veshur me rroba të errëta dhe me maskë, më ka qëlluar me armë zjarri pa më folur fare. Për t’u mbrojtur nxorra dorën, por u plagosa në dorë dhe në bark.

Bashkëshortja dhe vajzat kanë hapur derën e krahut të djathtë dhe janë larguar në drejtim të hyrjes së banesës. Më pas më kanë marrë dhe më kanë dërguar në spital. Gjatë kohës që kam qenë në lëvizje nuk kam vënë re asnjë person apo mjet të dyshimtë. Po atë ditë rreth orës 08.30 më ka telefonuar një numër që nuk e kujtoj. Personi ishte femër dhe më pyeti se kush isha. Sapo i thashë emrin tim e mbylli telefonin. ”

Në këtë sulm me armë ndaj familjes Paluca, mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e shënjestrës së atentatit, Antoneta. Teksa plumbave u shpëtuan fatmirësisht vajzat e çiftit, njëra prej tyre e mitur.

“Pasi mbërritëm në banesë, rreth orës 21.45-22.00 na u afrua një person i cili mbante një kapuç të zi. Ku në trup mbante të veshur një xhaketë ngjyrë ushtarake. Ndërsa në dorë mbante një pistoletë me silenciator të zi. Ky person u afrua në krahun e shoferit. Në momentin që doja të hapja derën e furgonit dëgjova një zhurmë të mbytur, kohë në të cilën bashkëshorti më tha se e kishin qëlluar. Bashkë me vajzën e tërhoqëm për dore duke e nxjerrë jashtë. Kam parë se personi që qëlloi u largua duke dalë pas automjetit, por drejtimin nuk e pashë sepse nuk ma lejonte furgoni. Menjëherë thirra kunatin i cili quhet Aleks Kola ku i thashë që kishin qëlluar Prendin. Aleksi doli nga banesa dhe së bashku me të e kemi ulur bashkëshortin tim në oborrin e shtëpisë. Më pas shkova të merrja makinën që kishim në banesë për të dërguar Prendin në spital. Aty kam vënë re që kisha dhe unë një plagë në këmbën e majtë sepse po më digjte. Bashkëshorti im aktualisht ka një biznes të tijin ku merret me punime elektrike në pallate dhe banesa.”

Biznesi është hapur së bashku me vëllain e tij Mark Paluca i cili aktualisht ndodhet në shtetin belg. Atë natë gjatë lëvizjes nuk kam vënë re ndonjë person të dyshimtë. Të njëjtat dëshmi u përforcuan edhe nga vëllai i objektivit të sulmit.

Aleks Kola, tha për hetuesit se në dijeninë e tij, vëllai i tij nuk kishte ndonjë përplasje.

“Rreth orës 21.00 kam dëgjuar zërin e kunatës e cila kërkonte ndihmë. Kam lëvizur mjetin dhe me ndihmën e fqinjëve kam dërguar Prendin në spital. Gjatë rrugës vëllai më ka treguar se ishte qëlluar me armë zjarri. Rrugës vura re se ishte dëmtuar edhe kunata.

Ajo më tregoi se ishin plagosur nga një person i veshur me të zeza, rreth 1.70 i gjatë, rreth moshës 35 vjeç. Nuk kam dëgjuar të shtëna armësh. Në dijeninë time vëllai im nuk ka patur konfikte apo hasmëri me ndonjë familje. Gjithashtu nuk kam parë ndonjë person të dyshimtë afër banesës. Por edhe pse Palucët kishin rënë dy herë pre e atentateve, ata nuk dhanë emra mbi personat që ishin investuar për t’i hequr qafe. Por kjo duket se nuk e pengoi policinë të mbante në vëzhgim Edmir Vlashin. Ku hetimet kishin zbuluar se Vlashi kishte tentuar edhe më herët të hakmerrej ndaj familjes Paluca.

Ku dyshohet se ishte edhe organizatori i atentatit të parë të shpërthimit me lëndë eksplozive. Ngjarje kjo e ndodhur në banesën e familjes Paluca, e cila fatmirësisht u shoqërua vetëm me dëme materiale. Ku shkak për të gjithë këto atentate, duket të jetë fakti se Palucët i kishin rrëmbyer Vlashit në Belgjikë një sasi droge, të cilën nuk ia kishin kthyer. Por ky atentat i dështuar do të ishte vetëm perdja e fundit e skenës kriminale ku në qendër do të ishin personazhet e sipërpërmendur. Kjo, pasi më herët një sërë ngjarjesh të tjera, kishin shërbyer si prelud i rrëmbimeve dhe atentateve të ndërsjellta. Më 9 shtator 2021, vetëm një muaj pasi Prend Paluca u sulmua me armë në banesën e tij, persona të paidentifikuar tentuan të rrëmbenin Hektor Ndokën. I cili është shok me Edmir Vlashin. Personat që do të ishin edhe kokat e atentatit më të fundit të dështuar ndaj Prend Palucës.

Sipas policisë, ngjarja u shënua në orën 15:40 minuta të datës 9 shtator 2021, në afërsi të kryqëzimit që të çon për në godinën e Njësisë Administrative Shëngjin, në aksin Porti i Shëngjinit-Lezhë. Hektor Ndoka mësohet se po udhëtonte me një automjet tip Audi me targa italiane, me nënën e tij, kur një tjetër automjet u preu rrugën. Sipas dinamikës së ngjarjes, nga automjeti dolën dy persona.

Të cilët pasi qëlluan në tokë me pistoletë, tentuan të rrëmbenin objektivin e tyre. Por, nuk ia arritën qëllimit. Kjo, pasi Hektor Ndoka, i dha shpejtësi makinës dhe u largua nga vendngjarja. Skena e rrëmbimit të dështuar, u fiksua edhe nga kamerat e sigurisë, të një banese private. Ku u dallua edhe profili i njërit prej autorëve.

Hektor Ndoka

“Unë jam emigrant prej 3 vitesh në Spanjë, ku jetoj me leje të rregullt qëndrimi. Në Shqipëri jam kthyer më datë 8 shtator 2021 rreth orës 11.00. Më datë 9 shtator 2021 rreth orës 12.00 jam kthyer në qytetin e Lezhës dhe kam drekuar me dy miqtë e mi në një lokal që ndodhet në lagjen ‘Besëlidhja’. Pasi u ndava prej tyre u nisa për në Shëngjin për të marrë nënën time, e cila punon në një fabrikë peshku. Aty, jemi nisur për t’u kthyer në shtëpi. Sapo kam kaluar kryqëzimin e rrugës së komunës së Shëngjinit, një autoveturë tip A6 me ngjyrë kafe me targa malazeze, erdhi përballë meje, duke më bllokuar rrugën. Nga makina pashë që zbriti një person. Ndërsa me të ishin dhe dy persona të tjerë. I dhashë shpejtësi makinës dhe u largova.”

Edhe Hektor Ndoka, në dëshminë e tij, si në shumë raste të ngjashme, mohoi që të kishte konflikte. Pavarësisht të shkuarës së tij problematike.

Ndërsa tashmë është shpallur në kërkim bashkë me shokun e tij Edmir Vlashi, për organizimin e atentatit të dështuar ndaj Prend Palucës. Ku i duhet të përgjigjet përpara drejtësisë, për një seri ngjarjesh, që kanë prodhuar gjak dhe dhunë, por edhe të zhdukur për të cilët mund të ketë dijeni. Ndërsa pazaret e drogës, duket se nuk do i ndalin këtu viktimat e tyre.

*DËSHMIA E NËNËS

Djali i vetëm i Ndok dhe Liza Malshit u zhduk me 25 Gusht 2018, vetëm pak ditë pasi ai kishte mbërritur në shtetin spanjoll, bashkë me shokun e tij, Edmir Vlashi i cili po synonte të vriste Prend Palucën, në Kamzë, pasi kishte dështuar në dy atentate të mëparshme. Nëna e të zhdukurit, Liza Malshi rrëfeu në emisionin “Në Shenjestër” takimin e fundit me të birin.

Pyetje: Znj. Liza na tregoni takimin e fundit me djalin tuaj?

Përgjigje: Djali im ka ikur me 21 gusht në orën 11 e gjysmë të natës, është nisur dhe që nga ajo orë nuk kam marrë vesh më për të. Asnjë fjalë, nuk kam kontaktuar unë me të. Pas pesë- gjashtë ditësh na ka marrë një shoku i tij në telefon, ka marrë kunatin tim në Angli dhe i ka thënë se si ishte puna. Ai i ka thënë: “Si e thu këtë fjalë, nuk është fjalë e mirë ajo që thua ti”. Ai tjetri i ka thënë: “Për mua ka marrë fund”. Atëherë na kanë thënë ne se çfarë kishte ndodhur, ne nuk kemi pas më çfarë me bë, ne jemi mërzitur, dihet ajo punë.

Pyetje: Po biseda e fundit pasi kishte kishte arritur në Spanjë?

Përgjigje: Asnjëherë, nuk kemi fol me të.

Pyetje: Kush ua dha lajmin që Taulandi ishte zhdukur?

Përgjigje: Edmir (Vlashi) Marku ka marrë në telefon kunatin tim në Angli, se kështu më ka thënë Fatbardh Dervishi, “ e kam vra, pre, fut në det”. Ai i ka thënë si i thu këto fjalë, si më thua për djalin e vëllait tim kështu.

Ngjarje që tronditi fort familjen Malshi.  Ku menjëherë sapo mësoi mbi gjëmën që u kishte rënë në shtëpi, Ndok Malshi u drejtua me një kallëzim në policinë e Lezhës.

Djali im Tauland Malshi, ka shkuar në Spanjë më datë 20.08.2018, për një periudhë qëndrimi tre mujore.

Gjatë kësaj kohe unë u telefonova nga shoku i djalit tim, i quajtur Edmir Vlashi, me qëndrim në Spanjë, i cili më tha se kishte humbur kontaktet me Taulandin. Djali ishte thirrur nga Fatbardh Doda, nga Sukthi i Durrësit, por me qëndrim në Spanjë.

Më tej në dëshminë e tij për humbjen e djalit, Ndok Malshi tregoi edhe për telefonatën e zezë që mori nga Edmir Vlashi.  Vetëm pak ditë pasi ky i fundit i kishte njoftuar për zhdukjen e papritur të Taulandit. Ku tashmë i bënte të ditur për fundin tragjik të djalit të tij.

Më datë 30 Gusht 2018, unë u telefonova sërish nga Edmir Vlashi, i cili më tha se më 25 gusht 2018, ishte telefonuar nga Fatbardh Doda. Edmiri me tregoi se Fatbardhi i kishte thënë Edmirit: ‘Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga’

Menjëherë sapo mori telefonatën e parë për zhdukjen e djalit, Ndok Malshi, udhëtoi tranzit drejt Spanjës.

Por udhëtimi i tij u ndal në Stamboll, pasi autoritetet vendase nuk e lejuan të vazhdojë më tej. Më 4 shtator 2018, 7 ditë pas zhdukjes së Tauland Malshit, në bazë të kallëzimit të bërë nga babai i tij, Prokuroria e Lezhës regjistroi procedimin penal të ‘Vrasjes me dashje’.  Ndërkohë që sipas grupit hetues, Ndok Malshi, deklaroi se Edmir Vlashi, u kishte thënë se kishte bërë kallëzim në Spanjë në lidhje me zhdukjen e shokut të tij. Një tjetër person që u pyet nga grupi hetues në lidhje me zhdukjen e Tauland Malshit, ishte edhe Denis Marku. Kushëri i parë me Malshin; sapo kishte mësuar mbi lajmin, kishte nxituar të shkonte menjëherë te shtëpia e xhaxhait të tij.

Më 29 Gusht 2018 mësova se xhaxhai im Ndok Malshi ishte nisur për në Spanjë, por e kishin kthyer në Stamboll.

Më datë 30 Gusht 2018 rreth orës 07.00 të mëngjesit u nisa për të shkuar në shtëpinë e xhaxhit tim, Ndok Malshi, i cili më kishte thënë se kishte marrë një telefonatë nga shoku i djalit të tij Edmir Vlashi, i cili i ishte shprehur se kishte marrë një mesazh nga Fatbardh Dervishi (Doda). Ky i fundit i kishte thënë se ai e kishte vrarë Tauland Malshin dhe e kishte hedhur në det.

Pasi mësoi këtë lajm nga xhaxhai i tij, Denis Marku lidhi menjëherë kontaktet me Edmir Vlashin. Ku, ky i fundit, i konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e informacionit.  Por pa i dhënë detaje të reja, se përse kishte ndodhur kjo ngjarje.

Tauland Malshi nuk ka patur konflikte as brenda dhe as jashtë vendit dhe nuk e di se cila është arsyeja e vërtetë e kësaj ngjarje. Në lidhje me ngjarjen, pasi mësoi për zhdukjen e Taulandit, në Spanjë ka shkuar edhe xhaxhai im Valentin Malshi, që jeton me dokumenta të rregullta në Angli. Por mësova që nuk kishte marrë ndonjë të dhënë me interes për këtë çështje.

Pas këtyre deklarimeve, grupi hetues mori në shqyrtim edhe mesazhet telefonike që Denis Marku kishte shkëmbyer me Edmir Vlashin.  I njohur si shoku i Landit. Ku i kërkon këtij të fundit, informacione, lidhur mbi Fatbardh Dodën, personin që kishte deklaruar  se kishte marrë peng dhe zhdukur, kushëririn e tij, Tauland Malshin.   Nga numri i Denis Markut i kërkohet personit të shënuar me emrin shoku i Landit:“Më duhet çdo e dhënë për Fatbardhin”; sms e bërë kjo në orën 19.21 më datë 30 Gusht 2018, ku personi tjetër i thotë: ‘shok ditëlindjen se kam këtu, nesër kam takim me avokatin e tij’.

Më pas Denis Marku i shkruan po në ora 19.22; “naj foto, emrin e babës”, ndërkohë që personi tjetër po në orën 19.22 i shkruan; “nesër 99 % do kem dhe të dhënat e shqiptarit tjetër’.  Në një tjetër mesazh, Denisi i shkruan shokut të Landit: “Fatbardh e ka”.  Personi tjetër i kthen përgjigje: “Fatbardh Dervishi, por e ka ndërruar Fatbardh Doda tash”.  Më tej Denisi i çon Edmir Vlashit një tjetër mesazh, në orën 19.23 më datë 30 Gusht 2018: “Foto ske kund”.  Ndërsa nga numri tjetër vjen përgjigja: “No, por them se nesër gjej. Se kishte fshi dhe fb”.

Por ajo që e bën edhe më intriguese ngjarjen dhe që hedh dyshimin se autorët e zhdukjes së Tauland Malshit, po përpiqeshin të humbnin gjurmët, janë disa komunikime që Denis Markut i erdhën nga një adresë false në faceboook. Më 27 gusht 2018, vetëm dy ditë pas mbërritjes së mesazhit që Taulandi ishte zhdukur. Ku një person në krahun tjetër të facebookut, shtirej sikur ishte vetë Tauland Malshi.  Më datë 27 Gusht 2018 në orën 11.00 ka një mesazh në telefonin e shtetasit Denis Marku nga një adresë facebook, me emër fallso Floro-Floro i cili i shkruan: “Denis”.

Më datë 31 Gusht 2018 ora 01.26, Denisi i kthen përgjigje nëpërmjet adresës së tij Denisi-Denisi, mesazhshkruesit Floro-Floro: “Kush je”. Në orën 10:33 të datës 31 Gusht 2018 nga Floro-Floro vjen mesazhi: “kush jam?!”.

Ndërkohë që nga Denisi-Denisi shkruhet drejt Floro-Floro: “kush?”.

Nga Floro-Floro dërgohet mesazhi: “kusho prej burgut, a kupto mos fol me emra”.  Në këtë moment Denisit i dërgohet sms: “L” që mund të jetë gërma e parë e emrit Landi, shkurtim i emrit Tauland. Më pas mesa duket Denis Marku kërkon të kuptojë nëse personi tjetër është kushëriri i tij, Tauland Malshi, ku i shkruan në orën 10.36 të datës 31 Gusht 2018; “A ke makinë Fiat” dhe Floro-Floro i përgjigjet:“ po jashtë”. Ku këtu bëhet fjalë për makinën në fshatin e banimit.

Nga Denisi-Denisi kërkohen të dhëna të tjera në orën 10.39 datë 31.08.2018: “sa vjeç janë nëna dhe baba dhe si e ka emrin babi im”.

Nga Floro-Floro vjen mesazhi në ora 10.40 datë 31.08.2018; “Leka dhe Marjana”.  Theksojmë se prindërit e Denis Markut quhen Preng dhe Dave, ndërsa prindërit e Tauland Malshit, Ndok dhe Lizë.

Në ora 10.41 nga Denisi-Denisi i dërgohet mesazh drejt Floro-Floro; “si e ka emrin nipi im”, ndërkohë që nga Floro-Floro shkruhet; “Besi po çfarë janë këto o vëlla’.  Ndërkohë që në orën 10.48 datë 31 Gusht 2018 nga Denisi-Denisi shkruhet; “ne jena mbledh për mort o shok, nëqofsh tu u tall kush, ma ke borxh”.

Pra, ishte e qartë se dikush po përpiqej të hiqej si Taulandi, me qëllim që familja të mendonte se ai ishte gjallë dhe ndodhej në burg. Nëna e Taulant Malshit, pohon në bisedën për emisionin ‘Në shënjestër’ se menjëherë pasi mësuan për emrin e personit që mund të kishte gisht në zhdukjen e djalit të tyre, ata shkuan në familjen e Fatbardh Dervishit, në Shijak.  Aty, ku i priti babai i tij.

Pyetje: Po në Shijak, a keni shkuar tek familja e Fatbardh Dervishit (Doda) për të kontaktuar me babain e tij apo familjarë të tjerë?

Përgjigje: Ka qenë burri im, kushëriri dhe kunati im tek babi i atij djalit. I ka thënë se nuk din gjë se çfarë ka ndodhur, smë tregon askush. Ai nuk na ka thënë asgjë.

Pyetje: Cili mendoni se mund të jetë shkaku i vërtetë i zhdukjes së tij?

Përgjigje: Vetëm ka ik me Edmir Vlashin (Marku) dhe nuk di më asnjë fjalë, asgjë nuk e di se çfarë ka ndodhur.

Ky takim u konfirmua përpara grupit hetues edhe nga Ramazan Dervishi, babai i Fatbardh Dervishit i cili mban edhe mbiemrin Doda. Por nga ajo që rezulton më pas del se një oficer policie u ka kërkuar familjes Malshi, që të mos e shqetësojnë me babain e autorin e dyshuar të zhdukjes së djalit të tyre, pasi ai ishte në moshë të thyer.

Disa persona në emër të Ndok Malshit kanë ardhur të më takojnë në shtëpi por unë nuk di asgjë lidhur mbi këtë çështje.  Mua më ka marrë në telefon djali im Fatbardh Doda nga Spanja, dhe më ka kërkuar numrin e një funksionari të policisë.

Pyetje: Po me familjarët e Fatbardh Dervishit a keni kontaktuar?

Përgjigje: Nuk kemi kontaktuar më, na mori ai oficeri i policisë së Durrësit mua, burri dhe kushëririn tim dhe na tha mos u merrni me atë se është i vjetër. Ne i kemi thënë ti si babai i Fatbardhit na jep një rrugëzgjidhje për djalin. Ai shkoi e denoncoi, dhe nuk kemi kontaktuar më me të.

Grupi hetues mori në pyetje lidhur mbi ngjarjen, edhe personin kyç ku rrotullohen të gjitha fijet e zhdukjes së Tauland Malshit.

Edmir Vlashi u pyet në lidhje me rrethanat, sapo mbërriti në Shqipëri.  Ku përpara oficerëve të policisë gjyqësore në Lezhë, tregoi gjithçka kishte ndodhur ditën e fundit me Taulandin.

Unë kam njohje fëmijërie me Tauland Malshin, pasi jemi nga i njëjti fshat, Tresh, në Njësinë Administrative Zejmen Lezhë. Ne kemi shkuar bashkë në Spanjë në Malaga rreth orës 11.00 të datës 22 Gusht 2018, ku jemi akomoduar në një hotel në qytezën Fungirola.

Këtu do të qëndronim 10 ditë për  pushime. Gjatë kësaj kohe shoku im Tauland Malshi më ka thënë ta shoqëroja në qytezën Cijuela të Granadës, pasi do të takohej me Fatbardh Dervishin. Kur kemi shkuar atje jemi takuar me personin në fjalë, ku ai na tha ta ndiqnin nga pas me një automjet të cilin e kishin marrë me qera.

Fatbardh Dervishi, ishte ndërkohë me një shtetas spanjoll.

Gjatë rrugëtimit makina e Dervishit ka ndaluar, ndërkohë që Taulandi hipi në automjetin e tij.

Unë u ktheva për në Malaga.’

Edmir Vlashi rrëfeu më tej se ai u ndje i shqetësuar kur të nesërmen, miku i tij nuk u kthye në hotel.

Duke qenë se Taulandi nuk erdhi edhe të nesërmen, pra me datë 26 Gusht 2018, u interesova pranë personave të fundit që ishin me të.

Më datë 27 Gusht 2018, rreth orës 10.00 shkova në policinë nacionale të qytetit Granada, ku u interesova për shokun tim, duke menduar se mund të ishte arrestuar. Por nga autoritetet policore atje më thanë se nuk kishin të arrestuar ndonjë shtetas shqiptar.

Po më datë 27 Gusht 2018, rreth orës 18.20 u drejtova në Policinë nacionale të qytezës së Fungirola, ku bëra denoncim për humbjen e shokut tim Tauland Malshi. Në mbrëmje komunikova në telefon me babain e Tauland Malshit, ku i thashë se duhej të vinte në Spanjë, pasi djali i tij kishte një problem. Më datë 28 Gusht 2018, i telefonova sërish Ndokë Malshi, babait të Taulandit Malshi, ku i thashë se kisha bëre denoncim në polici, lidhur me humbjen e djalit të tij.

Gjatë marrjes në pyetje, Edmir Vlashi, u pyet edhe për njohjet e tij me Fatbardh Dervishin.  Personi i cili kishte marrë përsipër edhe zhdukjen e Tauland Malshit.  Por largoi nga vetja çdo implikim me Dervishin.

Me Fatbardh Dervishin, njihem që nga viti 2010.

Ku kemi qenë në burg të dy për një kohë të shkurtër, ku nuk është se kishin ndonjë shoqëri. Nga viti 2010 deri në korrik të vitit 2017 nuk e kam takuar.  Më pas jemi takuar në Spanjë, ku dhe kemi mbajtur më pas kontakte me njëri tjetrin.

Në Spanjë unë këtë herë kisha shkuar vetëm për pushime dhe për asnjë lloj pune tjetër. Ndërkohë që nuk kam dijeni se me çfarë pune merrej Fatbardh Dervishi. Ndërsa për sa i takon njohjes mes Tauland Malshit dhe Fatbardh Dervishit, njohja mes tyre është bërë nga unë. Por nuk e di se me çfarë është marrë Tauland Malshi në Spanjë dhe nuk kam dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur.’

Familja Malshi ka dyshimet e veta lidhur mbi Edmirin dhe rolin e tij në rrëmbimin dhe zhdukjen e Taulandit.Nëna e tij thotë se ata nuk kanë kontakt me Edmirin që nga koha kur ata kërkonin djalin e tyre të humbur në Spanjë.

Përgjigje: Unë vetëm tek Edmira Vlashi (Marku), ai që e ka marrë e ka ik, ai i din të gjitha gjërat. Ai që na ka sjellë fjalën ai i din të gjitha gjërat.

Pyetje: A keni kontaktuar më me Edmir Vlashin (Marku)?

Përgjigje; Nuk kontaktuam më me të, shkuam në Spanjë ne dhe më tha mua “pse ke ardhur ti”, unë i thashë kam ardhur me kërku djalin, më gjej djalin ku e kam, jo tha ti shko në Shqipëri e burri jot të rrijë me mua, të shkojmë tek një spanjoll sepse ai i din gjërat. Burri im i tha më trego shtëpinë se shkoj vetë tek spanjolli. U prishëm atëherë me të sepse i thashë unë kur të hyjmë brenda tek policia unë do t’i tregoj se tin a ke tregu krejta gjërat, ai tha po i dhatë numrin tim të telefonit e po i treguat për mua marr fund, më dënojnë 20 vite, i thashë  “Akoma 100 vjet”. Edhe iku ai, na ka lënë në Spanjë, nuk kemi kontaktu më me të.

Por ndërkohë që policia kryente gjithë këto hetime, dhe familja kishte emra konkretë, në listën e fletëthirrjeve për të dëshmuar, mungonte njeriu kyç, i cili akuzohej si personi që rrëmbeu dhe zhduku Tauland Malshin.

Fatbardh Dervishi me mbiemrin e ndryshuar Doda, nuk u paraqit asnjëherë në polici për të dhënë dëshminë e tij. Pavarësisht se ndaj tij kishte dëshmi të rënda. Ku për çudi edhe pse ishte në kërkim, ai shëtiste i lirë.  Por do të duhej një ngjarje tjetër e rëndë që Dervishi të binte në prangat e policisë.

Afro 3 vite e 6 muaj nga zhdukja e Tauland Malshit, ai u arrestua më 20 janar 2022, pasi më 3 janar të këtij viti plagosi në dhomën e një hoteli në autostradën Tiranë-Durrës, të dashurën e tij. Të cilën e qëlloi me pistoletë në shpatull, në një ngjarje të cilën kjo e fundit e cilësoi aksidentale, por që i kushtoi prangat të dashurit të saj.  Ngjarje kjo e ndodhur vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga Spanja. Pranga të cilat do ti shërbejnë drejtësisë për ta marrë në pyetje Fatbardh Dervishin edhe për zhdukjen e Tauland Malshit.

Pyetje: Cila është thirrja që ju keni për autoritetet?

Përgjigje: Unë kërkoj njëherë të zbardhet çështja, të më gjejë djalin se Edmir Vlashi (Marku) ia din krejt rrugët djalit tim vetëm ai Edmir Marku. Se ka fut Fatbardh Dervishi e pse ka fut tjerët unë nuk i di. Ai q ëma ka marrë tek shtëpia edhe e di se ka qenë me të. Ai le të thotë që ska qenë me të. Ai ka qenë. Ai ti tregojë shokët e vet dhe ta gjejë sido që të jetë puna.

Pyetje: Pra ju po thoni se Edmir Vlashi fshihet pas zhdukjes së Tauland Malshit?

Përgjigje: Unë nuk i njoh tjerët, mua ai që më ka sjëllë fjalën ai e din. I kam thënë ma sill si gjallë si vdekur në shtëpi.

Policia shqiptare beson se Malshi u la si peng tek një grup criminal ku Edmir Vlashi kishte blerë një sasi të madhe droge, por nuk kishte paguar paratë. Derisa ai të dorëzonte shumën prej 500 mijë eurosh, miku i tij i fëmijërisë do të qëndronte si garanci. Grupi kriminal kishte në përbërje shtetas shqiptarë, spanjollë dhe kurdë. /BallkanWeb/