Si u ndërtua Tirana kampione, rinovimet dhe prurjet: Halili hap “kartat”

schedule23:11 - 20 Korrik, 2020

schedule 23:11 - 20 Korrik, 2020

Refik Halili, presidenti i Tiranës, foli gjerë e gjatë në emisionin “Pressing” në ABC News. Projekti i të ardhmes, trajneri, prurjet, apo edhe rinovimet, janë ndër temat që kreu i klubit bardheblu i preku gjatë emisionit.

PROJEKTI – “Merkato na doli me sukses, brenda një ditë arritëm firmën e tre futbollistëve të rëndësishëm, si Batha, Torassa dhe Cale. Duke marrë mendimin e Ardi Memës, Arb Laçit, i cili kishte kohë që punonte dhe kishin diskutuar për këto futbollistë. Ndoshta nuk kishte shumë nevojë për të folur dikush, pasi futbollistët në fjalë ishin shumë të mirë.

Ky ishte suksesi që arritëm, besimin që ne patëm te Çelhaka, një futbollist shumë i ri. Dëshira ime personalisht është si Muçi, si Çelhaka, ta vazhdojnë karrierën edhe një vit te klubi ynë dhe të bënin kalimin. Nëse fati do të vijë më shpejt, ne jemi të gatshëm t’i lëmë të lirë, normalisht duke parë interesin tonë”.

TRAJNERI – “Unë e kam përmendur disa herë edhe Ardin (Mema) dhe ishte kënaqësi e madhe nëse Ardi do të kishte qenë në krye të skuadrës dhe ta mbaronim sezonin me atë. Por presioni te klubi ynë është shumë më i madh se te klubet tjera dhe në varësi të rezultateve, u detyruam. I falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontribut te skuadra jonë. Nuk kam çfarë them për 11-shen e formacionit, që nga momenti kur përmbysën Partizanin. Grentin, Karabecin, Hasanin, e të tjerë, kanë qenë të gatshëm për të ndihmuar skaudrën për të arritur këtë objektiv, që më fund e kemi në dorë”.

VLLAZNIA – “Të mirat dhe të këqijat që ne kemi pasur gjatë kampionatit, të jeni të sigurt dhe këtë ia premtoj edhe tifozerisë: Ne do e respektojmë deri në ditën e fundit kampionatin! Për preferenca nuk po flas, por kam dëshirë ta them se tifozeria e mrekullueshme e Shkodrës, tradita që ka pasur klubi ynë me klubin e Vllaznisë, shpresoj që ne ta mbajmë gjithë kohën në elitë Vllazninë, pasi i jep bukurinë futbollit shqiptar”.

TIFOZERIA – “Ne sot e kemi fituar trofeun. Të dini një gjë, që unë kurrë nuk kam për të thënë kurrë asgjë për tifozët, ata janë oksigjeni i skuadrës. I falënderoj shumë që na kanë ndjekur hap pas hapi dhe na kanë ndihmuar që ne sot të kemi këtë trofe në dorë. Janë emocioni të jashtëzakonshme, po të shikoni vetëm derbin, duket qartë se tifozët janë oksigjeni i klubit tonë. Tifozët duan të shohin fitore dhe vetëm fitore”.

MERKATO – “Brenda 10 ditësh, do të jemi konkretë në merkato. Do të veprojmë shpejt, pasi duhet të përgatitemi për Kupat e Europës. Jemi të ndarë në tre pika: Futbollistët që duam të sjellim, futbollistët që kemi brenda klubit tonë, siç janë Batha, Torassa, Ngoo, pastaj lojtari më i rëndësishëm është edhe stoli. Do të punojmë dhe krahas kësaj, kemi dhe gjëra tjera për ditët në vazhdim. Futbollistët që duan të bëjnë kontratat e reja dhe futbollistët që do të afrohen. Brenda 10-12 ditësh, skuadra do të jetë gati për t’u përfaqësuar denjësisht në Kupat e Europës.

EGBO – “Nëse flasim për të bërë kontratat e reja, jam i hapur edhe për rinovimin e trajnerit. Duhet të fillojmë nga stafi, ku prapë gjej rastin ta falënderoj Egbon, Xhafën, që janë një nga çelësat e suksesit për skuadrën tonë. Pastaj, kemi dhe lojtarët që përmenda. Shtylla e skuadrës, Batha, edhe gjithashtu edhe lojtarë të tjerë që duhet të fillojmë të ndërtojmë kontratat e reja, siç është Hoxhallari. Absolutisht nëse ata kanë dëshirë”. /abcnews.al