Si të lehtësoni ankthin e fëmijëve pas tërmeteve

schedule15:04 - 28 Nëntor, 2019

schedule 15:04 - 28 Nëntor, 2019

 Të gjithë fëmijët janë të ndryshëm dhe mënyra si reagojnë ndaj situatave stresuese nuk është e njëjtë, sepse varet nga forca e lëkundjes, mosha, shpjegimi që iu është dhënë nga prindërit, ekspozimi në media etj.

Në vijim shpjegohen disa nga shqetësimet e zakonshme të fëmijëve dhe mënyra si duhet reaguar nga prindërit, kujdestarët ose mësuesit.

Fëmijët ndihen konfuzë në lidhje me situatën:

1.Jepini shpjegime të qarta sa herë që ju pyesin.

2.Shmangini detajet që mund t’i frikësojnë.

3.Korrigjojini informacionet që i dinë gabim në mënyrë që të mos jenë të hutuar për rrezikun.

4.Mos ja trajtoni tërmetin si gogoli, por përshtatni me fjalë fëmijësh fenomenin natyror.

Për shembull, mund t’u thoni: “Në fund të planetit tonë tokë, ndodhen disa pllaka të mëdha si pllakat që kemi ne në shtëpi. Ato lëvizin dhe përplasen me njëra-tjetrën. Ndonjëherë përplasen pak fort dhe planeti dridhet.”

Fëmijët kanë frikë nga përsëritja e tërmetit:

1.Ndihmojini të kuptojnë diferencën mes tërmetit dhe pasojës që ndodh më pas.

2.Mos i gënjeni. Shpjegojini se mund të ketë të tjera lëkundje të lehta, por bëjini të ndihen të sigurt.

Fëmijët panikohen:

1.Ndaloni me çdo kusht që të jenë në kontakt me mbulimin mediatik, pasi do të kenë më tepër frikë.

Fëmijët flasin gjatë gjithë kohës për tërmetin:

1.Lejojini që të flasin për tërmetin; është mënyra e tyre për t’u shprehur.

2.Përpiquni t’i mbani të zënë me aktivitete, si lojrat dhe vizatimet.

Fëmijët shfaqin probleme me gjumit:

1.Janë të larta mundësitë që të kenë ëndrra, makthe dhe frikë.

2.Shpjegojini se ëndrrat e këqija janë normale dhe do të ikin.

3.Bëjani të qartë që na ndodhin të gjithëve. Nëse e shihni të arsyeshme, flini me ta derisa të qetësohen.

Fëmijët ndryshojnë sjellje:

1.Pas tronditjes fizike dhe emocionale, ndodh që ndryshojnë sjellje dhe bëhen më agresivë.Në fakt, është një sjellje e zakonshme, ndonëse shqetësuese.

2.Bëni të mundur që fëmijët të jenë në kontakt me aktivitete kreative dhe argëtuese.

Fëmijët ankohen për dhimbje koke, stomaku, dhëmbësh etj:

1.Zbuloni nëse kanë nevojë vërtet për vizitë te mjeku, ose në të kundërt është një mënyrë e tyre për më shumë vëmendje si pasojë e frikës.

2.Sigurohuni që kanë fjetur, kanë pirë dhe kanë ngrënë mjaftueshëm./abcnews.al