Si shpëtuan dy turistët e huaj që humbën rrugën në malet e Thethit

schedule19:54 - 31 Tetor, 2018

schedule 19:54 - 31 Tetor, 2018

ABC News ju sjell historinë e rrugëtimit të vështirë të turistëve huaj që humbën rrugën mes maleve të Thethit. Fatmirësisht ata u shpëtuan nga banorët e zonës, por organizatorët e udhëtimeve kërkojnë marrjen e masave.

Chris Simm, 33 vjeç nga Anglia dhe Sanne Carbaat 27 vjeçe nga Holanda tre netë më parë humbën rrugës nga Valbona për në Theth. Pasi kishin udhëtuar për 10 orë hynë në një rrugë të gabuar dhe e panë veten mes maleve. Shkak u bë një shenjë orientimi e pavendosur mirë.

Sanne Carbaat – turistja që humbi: “Jemi nisur në ora 8 të mëngjesit nga Valbona për të shkuar në këmbë deri në Theth. Koha ishte e mirë. Gjatë ecjes jemi ngatërruar dhe jemi futur djathtas në vend që të shkonim majtas sepse shenjat e orientimit nuk ishin të mira. Kemi ecur nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 të pasdites dhe pasi erdhën djemtë për ta na shpëtuar kemi bërë edhe 2 orë e gjysëm të tjera. Kalonim në rrugë malore ose duke zbritur. Në fillim ka rënë shi dhe më pas era ishte shumë e fortë dhe problemi ynë ishte të gjenim dru për të ndezur zjarr. Kemi qëndruar mbi 5 orë të vetëm deri sa na shpëtuan”.

Nga një udhëtim magjepës në një natyrë të pafundme u bë një rrugëtim i vështirë dhe makthesh. Çifti tregon momentin kur u shpëtuan nga tre djem të Thethit, Çesk Berishta, Nikoll Djegsina dhe Françesk Harusha

“Ne nuk na gjeti policia por Çesku, Niko dhe Françesku, pra tre djem nga Thethi. Në fillim ishim të frikësuar sepse nuk e dinim se çfarë po ndodh dhe kush po vjen”.

Çesk Berishta është njëri nga të rinjtë që shpëtuan jetën dy turistëve. Ai u thote turisteve të mbajnë numra kontakti të vendasve në udhëtime të tilla sepse mund të përfundojnë edhe ushqim për ujqërit.

Çesk Berishta – banor i Thethit: “Të marrin një informacion, ose një guidë ose një kartvizitë të dikujt që të kenë një numër telefoni të dikujt që nëse mbeten rrugëve të njoftojnë ndokënd.”

Loren Nikaj një nga menaxherët e organizimeve për udhëtime turistike kërkon nga shteti të ngrihen skuadra të gatshme shpëtimtarësh me banorë te zonës.

Loren Nikaj –menaxhere kampingu: “Në malësi që është e mbipopulluar me turista, në ditë kalojnë me mbi 1000 vetë aty këtë vit, vitin tjetër do të jenë më shumë. Unë mendoj që duhet të ketë një skuadër të gatshme sa herë të jetë një problem i tillë sepse është gjë frekuente nuk është hera e parë që ndodh.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!