Si po shkojmë drejt 30 qershorit? Përgjigjet Elisa Spiropali

schedule20:28 - 24 Qershor, 2019

schedule 20:28 - 24 Qershor, 2019

Si po shkojmë drejt 30 qershorit? Ishte pyetja që iu bë Elisa Spiropalit, Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, nga gazetarja Mirela Milori në studion e Mbrëmje ABC. Spiropali tha se tashmë pas vendimit të kolegjit zgjedhor është gjithçka e qartë. E pyetur në lidhje me konferencën e presidentit Meta ditën e nesërme, se si e shihte këtë reagim të tij, Spiropali tha se janë reagime politike të zyrës së presidentit, i cili ka vendosur ti hedhë molotovët me dekrete.

Besoj sot kemi më shumë qartësi, pas vendimit të kolegjit zgjedhor. Vendimi i presidentit të republikës për tu bërë pjesë e lojës politike e kishte shtuar paqartësinë dhe i kishte hedhur benzinë zjarrit, edhe pas diskutimeve në komisionin e ligjeve ku u diskutua mbi kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e presidentit dhe më pas vendimi i kolegjit. Protestat në rrugë, nuk janë gjë tjetër veçse shfaqje e shëmtuar e simptoma të një sëmundje që për fat të keq ka përfshirë të gjithë opozitën. Janë reagime në vazhdën e reagimeve politike të zyrës së presidentit dhe të vetë Ilir Metës. Opozita jashtëparlamentare, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nxjerrin çeta të vogla me njerëz në rrugë sa herë që ka miting elektoral, sulmojnë KZAZ-të dhe organizojnë protesta të dhunshme dhe  Presidenti i Republikës ka vendosur të hedhë molotovë me dekrete presidenciale, është i njëjti qëllim me mjete të ndryshme. Deklarata e zëdhënësit të presidentit është në këtë vazhdë, absolutisht e pamenduar, e pabazuar po ashtu si letrat që presidenti i dërgon në drejtim të partnerëve tanë përfaqësuesve më të lartë të BE-së, të OSBE-së, është trakt politik, dhe jo akt ligjor. Ilir Meta është pjesë e opozitës jashtëparlamentare, në frymë, në ide, në familje, në qëndrime, përdor pozicionin e tij për të sulmuar rendin kushtetues, qeverinë, parlamentin. Arsyet janë të ditura, arsye të mos arsyes, kanë frikë nga zgjedhjet, nga reforma në drejtësi, kanë frikë nga integrimi”, tha Spiropali./abcnews.al