Shtyrja e zgjedhjeve, sprova mes Ramës e Bashës

schedule15:44 - 25 Maj, 2019

schedule 15:44 - 25 Maj, 2019

Shtyrja e zgjedhjeve nuk duket më një utopi politike apo ligjore. Ky zhvillim i papritur i javës politike që lamë pas, erdhi pas disa lëvizjeve jo aq të dukshme, ndërsa aktorët në fushë janë pozicionuar tashmë. Mimoza Koçiu na sjell këtë dinamikë me Politika në ABC News.

Për herë të parë javën politike që lamë pas, ideja e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk duket një utopi politike e as ligjore. I vendosur për të shkuar në zgjedhje pa opozitën duket Kryeministri, që për tre ditë me radhë ia shkroi këtë Lulzim Bashës. Ky i fundit, refuzon edhe komunikimin virtual me Ramën e adresimin-përgjigje ia drejtoi qytetarëve. 5 javë para datës së dekretuar të zgjedhjeve, aktorët në fushë janë shtuar e pozicionet duken të qarta.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Në qëndrimin për të zhvilluar zgjedhje edhe pa opozitën, që paralajmëron se nuk do t’i lejojë, Kryeministri Rama bëri një paralajmërim të fortë në emër të SHBA e BE.

Rama: Do ju digjet përjetë hyrja në SHBA e BE nëse i shkoni pas.

Kjo taktikë e Kryeministrit nuk është e panjohur. Fiks një vit më parë, nga foltorja e kuvendit, i rreshtonte krah vetes SHBA e BE në akuzat që opozita adresonte ndaj ministrit të kohës të brendshëm Fatmir Xhafajt për shkak të vëllait të tij.

Rama: Nëse në këtë zurnajë do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me një përgjegjësi të çfarëdo natyre të ministrit tonë të brendshëm, besoj se asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme bindjen time se do kishte folur miku ynë ambasadori amerikan, BE, ata që nuk kanë lënë rast pa folur dhe pa verifikuar.

Një ditë më vonë, ambasadori amerikan i kohës Donald Lu i kërkonte të mos fliste në emër të SHBA.

Donald LU: Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj.

Nëse njëlloj si një vit më parë, zyra e delegacionit të BE në Shqipëri heshti. Një vit më vonë spikati heshtja njëlloj edhe e ambasadës amerikane, për ndëshkimin që Kryeministri paralajmëroi në emër të SHBA. E paqartë sesi 28 vende të BE mund të unifikohen në pengimin e hyrjes në vendet e tyre, të kujt kryen një krim zgjedhor, akt ky i dënueshëm nga gjykatat në Shqipëri, por refuzimi i hyrjes në SHBA është një praktikë e njohur, jo vetëm për Shqipërinë. Duket se ai paralajmërim i KM mbështetet tek ky vendim i Presidentit Bush të madh, në janar 2004. Por çka nuk thuhet është se urdhri presidencial,vlen për zyrtarë e jo zyrtarë të përfshirë apo përfitues në akte korruptive, që kanë efekte serioze negative në aktivitetin ndërkombëtar të bizneseve amerikane, të sigurisë së SHBA kundër krimit e terrorizmit trans-nacional apo stabilitetin e institucioneve dhe kombeve demokratike. Edhe ndërhyrja në zgjedhje konsiderohet si shkak për refuzimin e hyrjes në SHBA të kategorisë specifike.

Ka një kujdes të shtuar për të qarkulluar në korridoret e medias informacion, se opozita po përgatit prishjen e procesit, përfshi thyerjen e kutive të votimit në 30 qershor. Në fakt ky është një nga variantet e hedhura, mes të tjerëve, në mbledhjet organizative në selinë blu. Aludimeve se pas vendimit e akteve të ardhshme radikale qëndron Sali Berisha, kujdeset t’u japë zë vetë Kryeministrit.

Rama: Dhe shpirti i asaj partie është doktori jo kryetari i llakuar.

A është ky vallë varianti me të cilin ushqehen ndërkombëtarët? E paqartë nëse heshtja e SHBA e BE pasi Rama foli në emër të tyre ka qenë vetëm publike, por të njëjtën ditë, disa orë më vonë, një ngjarje që kishte ndodhur tre ditë më herët. Kryebashkiaku i Durrësit ishte thirrur në prokurorinë e krimeve të rënda për llogari të hetimeve të dosjes 339/1, pjesë e së cilës janë përgjimet e telefonatave të Dakos me persona të inkriminuar, në periudhë zgjedhore. Ndryshe nga 7 muaj më parë, kur një pjesë e përgjimeve rrodhën, ai veprim, i kryer larg vëmendjes publike, që u publikua 3 ditë më vonë, u mbyll sërish si informacion, edhe për dëshminë, edhe për hapat e mëtejshëm të prokurorëve, në një kohë kur zgjedhjet janë kauza e krizës politike në vend.

Në këtë panoramë Kryeministri vazhdonte të porosiste të vetët edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të përcillnin mesazhin e tij në emër të SHBA e BE.

Rama: Çdo njeriu i duhet thënë që kush cënon apo dëmton procesin nuk shkel më në Amerikë apo vende të Bashkimit Evropian.

Basha nuk komentoi ato paralajmërime të Ramës, por nuk shfaqi as shenja tërheqje

Basha në Shkoder: Kjo është një betejë për jetë a vdekje…për të ndalur këtë tirani ia vlen çdo çmim.

Dukshëm 30 qershori është shndërruar në fokusin e përbashkët të të dyve.

Rama: Spiralja e marrosjes së udhëheqjes së opozitës së sotme ka prekur fundin he 30 qershori duhet ta sanksionojë këtë fund…. Por dhe do të ngordhë politika e pengmarrjes së procesit demokratik.

Basha: Në 2007, dy herë i shtyu zgjedhjet sepse kërkoi që çdo votues të sillte me vete certifikatën e lindjes, kurse tani thotë nuk më lejon Kushtetuta. Kundër Kushtetutës nuk është shtyrja e një procesi kriminal si ky, që mendon se do të ekzekutojë më 30 qershor.

Kryeministri pati një moment delikat javën politike që lamë pas. Si kurrë më parë, Tirana e Prishtina janë të ndara në qëndrime. Për herë të parë mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës e Shqipërisë, e iniciuar prej Ramës kur erdhi në pushtet, u zhvillua pa asnjërin KM. Përplasja në samitin e Berlinit e pas tij, me kryeministrin Haradinaj për taksën serbe e idenë e ndryshimit të kufijve, solli këtë panoramë (mbledhja) Dy zv/kryeministrat që nisën një mbledhje ballafaquese të detyrave të lëna, e zhvilluar me dyer të mbyllura, e me konkluzione ende jo publike. Rama nuk u shfaq në publik, ndërsa kryeministri Haradinaj u shfaq në Shqipëri, por për të takuar Ilir Metën. Kjo foto me sqarimin se ndajnë të njëjtin qëndrim për Kosovwns, nuk u sfumua dot nga njoftimi lakonik i Hashim Thacit, se kishte takuar Edi Ramën në Tiranë. Të dy duken në minorancë në qasjen e tyre.

Jahjaga: Duhet që t’i heqim zërat për çdo diskutim që prek kufijtë në ballkan.

Meta: Është përpjekje e politikanëve e autoriteteve për tu shmangur nga llogaridhëniet e brendshme dhe për të provokuar tema që spostojnë vëmendjen dhe përgjegjësinë.

Ilir Meta madje e çoi më tej qëndrimin, kur tha se nuk mund të heshtte kur shihte sesi reforma në drejtësi po zbatohej, jo siç ishte miratuar me 140 vota.

Meta: Nëqoftëse do ishte vërtetë një sukses nuk do ishte vendi pa Gjykatë Kushtetuese. Sepse reforma nuk bëhet me retorikë, por me standarde. Përndryshe nuk është reformë, por forma të reja të kapjes së institucioneve.

Kreu i shtetit zbuloi publikisht çka ndodh larg syve të publikut. Historia e tre viteve më herët duket përsëritet me misionin asistues të BE, EURALIUS. Tre vjet më parë drejtuesit të EURALIUS, iu ndërpre pa zhurmë detyra, pasi u denoncua publikisht nga PD e LSI, për sjellje të njëanshme në procesin e hartimit të reformës në drejtësi. Tre vjet më vonë, ky mision targetohet nga Kreu i Shtetit.

Meta: Kam kërkuar me shkrim mbështetjen e EURALIUS dhe OPDAT, të paguar nga taksat e evropianeve. Ditën e fundit EURALIUSI çoi përgjigje jemi mision teknik, por nuk e di kush ia dha porosinë politike. Si mundet ky mision ti çoje rekomandim kreut të ligjeve për të zgjedhur një institucion në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Përgjigja i erdhi nga Kryeministri Rama, se reforma kërkonte kohën e vet, por e shoqëruar me aludime të forta për pozicionin e presidentit për 30 qershorin.

Rama: A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar?Padiskutim Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme po dhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet!S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij,mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit.

Historia duket se po përsëritet edhe me lëvizjen e Kryeministrit. Njëlloj si dy vjet më parë, kur të gjithë aktorët politikë vendas iu vunë kundër, i kthen sytë nga Lulzim Basha. I shkroi letra tre ditë me radhë. Në secilën nënvizonte se zgjedhjet do bëheshin më 30 qershor. Me tone përçmuese e ftonte Bashën në dialog pa kushte.

Rama: Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen. Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut. Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar.

Basha që vazhdonte të përsëriste se nuk dialogonte me Edi Ramën Kryeministër, nuk iu adresua asnjëherë, teksa dha përgjigje gjatë një takimi me qytetarë në Durrës.

Basha: Largimi i Edi Ramës është hapi i parë i panegociueshëm, hapi që do t’i hapë rrugë zgjidhjes politik të krizës. Na propozon Taulant Ballen e Gjiknurin si rojtarë të zgjedhjeve, do të jenë para togave të zeza të drejtësisë me urdhër të Ramës kanë ushtruar presion tek anëtarët e KQZ që mos të regjistrohen anëtarët e PD në KQZ.

Ai paralajmërimi i Bashës u provua të nesërmen. Katër anëtarët e KQZ të propozuar nga e majta,votuan kundër regjistrimit të kandidatëve të PD/LSI nëpër KZAZ. I pazakontë vendimi i opozitës për t’u bërë pjesë e komisioneve zgjedhore në një garë ku vetë nuk merr pjesë, por në mungesë të një pengese ligjore për ta bërë një gjë të tillë, 4 anëtarët e KQZ, u mbështetën tek rrethanat për ta rrëzuar.

Në të njëjtën ditë, Gjykata e Lartë humbi edhe një anëtar të saj. KPA shkarkoi nga detyra gjyqtarin Edmond Islamaj për deklarim të pasaktë të pasurisë. Tashmë Gjykata e Lartë mbetet me tre anëtarë në detyrë, dy nga të cilët, kreu i gjykatës Zaganjori dhe anëtari Broci janë në proces apelimi, i pari i ankimuar nga komisioneri publik, e i dyti në ankimim të vendimit të KPK që e rrëzoi. Anëtari i vetëm i vetuar i Gjykatës se Lartë, që mban edhe postin e kreut të KED është Ardian Dvorani.

Një letër e dytë nga Edi Rama për Lulzim Bashën erdhi po atë ditë, edhe më e gjatë se e para, ku shefi i qeverisë shkruante se kishte detyrim të këmbëngulte për dialog. Sërish nënvizimi për të bërë zgjedhje edhe pa opozitën.

Rama: Mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë. Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.

Lulzim Basha reagoi me shkrim pas kësaj letre të dytë, pas një takimi me aleatët opozitarë. Sërish duke iu drejtuar qytetarëve e për asnjë moment Ramës.

Basha: Dje, pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia. Në të vërtetë demokracia e kërkon që pushteti të burojë nga populli dhe të dialogojë me popullin, demokracia kërkon që mosmarrëveshjet që nuk i zgjidh dot politika t’i zgjidhë populli, me votë. Por për Edi Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit. E gjithë qeverisja e tij ka qenë grabitje dhe mashtrim i popullit, i pasurive publike dhe dhunim i çdo vlere demokratike e perëndimore. Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve, para së gjithash ne politikanëve. Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë. Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit.

Në këtë situatë ekstreme, një zgjidhje u propozua nga Gjermania. Nr dy i grupit parlamentar të CDU/CSU Johann David Wadephul, dhe deputeti i CSU, raportues për Shqipërinë në komisionin e jashtëm Christian Schmidt, u vetë ofruan për herë të dytë për të ndërmjetësuar krizën pa kushte, e sipas tyre, hap i parë do ishte shtyrja e 30 qershorit.

“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë. Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje”.

Lulzim Basha shprehu mirënjohje e gatishmëri propozuesve Kristian demokrat e social demokrat të koalicionit të Merkel.

Basha: Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës evropiane të Shqipërisë.

Falënderimi i Kryeministrit vinte përmes evidentimit të tyre si partner të Bashës e PD, por duke nënvizuar se nuk lëvizte nga 30 qershori.

Rama:Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!

Dukshëm kjo lëvizje gjermane, e kundërt me çka vetë parashikonte, e shtyu të sqaronte edhe njëherë pozicionin e vet. E bëri që të nesërmen në mëngjes, përmes një letre të tretë për Lulzim Bashën, e këtë herë qëndrimi ishte refuzues edhe për shtyrjen e 30 qershorit, edhe për kërkesën e njohur të Bashës për largimin e tij si KM.

Rama: Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos harroni ndërkohë se po nuk u kthyet në realitet, përtej dëmit që mund t’i bëni vendit dhe atyre pak individëve kokë nxehtë, të cilët mbase për të keqen e tyre mund të shkojnë deri në fund pas berihajit ku po i udhëhiqni, Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit evropian të Shqipërisë.

Por ndryshe nga Rama, një tjetër aktor i rëndësishëm në Tiranë mirëpriti propozimin për shtyrjen e zgjedhjeve. Për herë të parë Ilir Meta tha se mund të rishikonte dekretin e tij, e nëse i shërbente zgjidhjes së krizës, ofronte për herë të dytë dorëheqjen.

Meta: Në këtë kuadër, shpreh gatishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike.

Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve.

Por akuzat e kreut të shtetit ndaj ndërkombëtarëve për mënyrën si po zbatohej reforma në drejtësi, morën përgjigje nga përfaqësuesit e BE në Tiranë, i pari ambasadori Soreca.

Qëndrim i ngjashëm erdhi edhe nga drejtuesja e ONM, që mbikëqyr zbatimin e reformës në drejtësi e vetë vettingun.

Calavera: Duke pasur parasysh interesin e lartë publik, është e rëndësishme të sigurohet monitorimi nga afër i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive në progresin e tij. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta dhe të papranueshme, duke përfshirë edhe rastet kur u drejtohet personalisht anëtarëve individualë të institucioneve të Vettingut. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet. Reforma e drejtësisë është zbatuar në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin, reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme, të gjitha institucionet shqiptare duhet ta mbështesin atë.

Një ditë më herët, presidenti i Republikës kishte konfirmuar qëndrimet e tij publike, duke mos kursyer ironinë ndaj Ramës dhe disa ndërkombëtarëve.

Meta: Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë. Ndërkohë Presidenti nuk ndalon askënd, të këndojë “na fitorja në fitorje”, si në variantin solo, ashtu edhe në kor.

Padyshim që këto lloj replikash publike, e dobësojnë më tej besimin e brishtë të aktorëve politikë ndaj ndërkombëtarëve në Tiranë. Nga jashtë, lëvizja e deputetëve gjermanë duket ka gjetur mbështetjen e të paktën dy palëve, opozitës e presidentit. Kreu i shtetit duket gati ta shtyjë datën e zgjedhjeve, ndërsa PD të ulet më Ramën si kryetar i PS.

Por qëndrimi i Kryeministrit mbetet po aq i rëndësishëm, e zhvillimet e javës politike që lamë pas, dëshmuan qartë se 30 qershori është sprova e parë, ku Rama ose Basha do tërhiqet. Kostot dhe përfitimet e asaj tërheqje kanë nisur të artikulohen në gjuhë të huaj. Shtyrja e vendoreve për në vjeshtë është një opsion. Vjeshta përkon edhe me vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave, e një JO për herë të dytë për Shqipërinë, mund të ishte një sfidë serioze për postin e Ramës si Kryeministër. Për momentin, e sigurtë është se zgjedhjet pa opozitën, duken një realitet unik, edhe për një eksperte me eksperiencë disa vjeçare në monitorimin e zgjedhjeve si Audrey Glover, e caktuar për monitorimin e 30 qershorit në Shqipëri.

Glover: Asnjëherë skam monitoruar zgjedhje pa opozitën./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!