Qytetarët nuk do ta paguajnë taksën e pronës deri në një janarin e vitit 2019. Sqarimin e bëri Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj sipas të cilit Bashkive i duhet më shumë kohë për rifreskimin e të dhënave.
Bashkitë nuk janë gati për zbatimin e taksës së pronës prandaj qeveria ka vendosur një afat të ri, një janarin e vitit të ardhshëm.
“Periudha 2018 është një periudhë tranzitore, që i lejon njësive vendore të përgatiten më mirë në mënyrë q ënë 1 janar 2019 të gjitha njësitë vendore të aplikojnë taksën e pronës në bazë të vlerës”.
Deklarata e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj bëhet pas shqetësimit që kanë shprehur disa Bashki për mungesën e bazës së te dhënave e cila ka nevojë për rifreskim. Por ka edhe Bashki të tjera si ajo Tiranës, Durrësit e Shkodrës që kanë njoftuar nisjen e aplikimit dhe mbledhjen përmes faturës së ujësjellës kanalizimeve.
“Taksa e pronës nuk është një taksë e re, nuk është rritur, është bazuar te vlera. Do ti japim mundësi tatim paguesve që të dinë se për cfarë janë duke paguar dhe njësive vendore që të ketë një kontroll më të mirë mbi territorin, të ketë mbledhje taksash transparente dhe jo afrofe”
Ligji që reformon taksën e pronës ka hyrë në fuqi dy muaj më parë.Formula e re parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë 0.05 % e vlerës së banesës, pra nëse një shtëpi ka një vlerë prej 10 milionë lekësh, qytetari duhet të paguaj në muaj 500 leke, ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.2%. /abcnews.al