Shtubina: U paragjykova pse zgjodha Egnatian, me Vllazninë nuk mbaj inate

schedule11:57 - 6 Maj, 2021

schedule 11:57 - 6 Maj, 2021

Ndriçim Shtubina, pasi kontribuoi sezonin e shkuar te Vllaznia duke luajtur në çdo pozicion të mundshëm, pranoi në verë një ofertë të Egnatias për të luajtur në Kategorinë e Parë. Gugash Magani e kishte kërkuar shkodranin edhe kur ishte te Trepça ’89, por kalimi në Kosovë nuk u bë i mundur, edhe pse Laçi dha “OK”-in asokohe.

Trajneri peqinas e donte tek Egnatia dhe drejtuesit e bindën “xholin” shkodran, i cili shënoi 8 gola këtë sezon dhe ndihmoi skuadrën e tij të rikthehej në Superiore pas 16 vitesh. Shtubina, pas kësaj arritjeje, në një intervistë për gazetarin e ABC, Aldo Kozarja, flet për kalimin tek Egnatia, vazhdimësinë në këtë skuadër dhe për rikthimin në Superiore, ku do përballet edhe me Vllazninë, skuadrën e zemrës dhe qytetit të tij.

ZGJEDHJA E EGNATIAS – “Kur erdha në fillim shumë njerëz më kanë gjykuar pse u bëra pjesë e Egnatias. Koha ka treguar se kam bërë zgjedhjen e duhur. Jam munduar të jap maksimumin dhe kam ardhur me synimin e qartë që si person të jap gjithçka për skuadrën, në mënyrë që të jem korrekt me drejtuesit dhe profesorin. Besoj se ia kemi arritur dhe jam shumë i lumtur për atë që kemi bërë deri tani”.

E ARDHMJA – “Besoj se do të jem pjesë e projektit të ekipit edhe në vazhdim. Kam marrëdhënie të mira edhe me profesor Maganin, edhe me presidentin. Kam qenë korrekt, siç kanë qenë edhe ata me mua. Besoj se do të shkojnë gjërat shumë mirë”.

RIKTHIMI NË ELITË DHE VLLAZNIA – “Besoj se në futboll ndryshojnë gjërat shpejt dhe të them të drejtën më ka marrë malli të luaj në Superiore, sepse kam pasur shumë vite aty. Gjithsesi ia kemi arritur qëllimit dhe jam i lumtur për këtë gjë. Normalisht Vllaznia është gjithmonë në zemrën time, gjithsecili bën zgjedhjet e veta në sport.

Kjo nuk do të thotë që duhet të mbaj inat me drejtuesit, ose me shokët e skuadrës. Karriera ime ka ecur mirë duhet të them, pasi jam munduar gjithmonë të jap maksimumin. Ndoshta njerëzit më paragjykojnë edhe nga mosha, por gjithsesi do e tregoj në të ardhmen gjithçka”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!