Bashkimi Demokratik për Integrim ka informuar Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, duke rrezikuar strukturën multietnike të shtetit.
BDI thotë se për më shumë se dy dekada, përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunitetin ndërkombëtar dhe zbatimit të
Marrëveshjes së Ohrit, është bërë përparim i rëndësishëm në integrimin e popullit të dytë më të madh në vend në strukturat shtetërore.
“Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një prirje shqetësuese të kundërt, me përjashtim sistematik të shqiptarëve në shumë sektorë kyçë të qeverisjes dhe administratës publike”, thuhet në një deklaratë.
Shqiptarët mbeten të papërfaqësuar në fusha si mbrojtja, siguria, kultura, duke rrezikuar strukturën multietnike të shtetit.
“Sigurimi i përfaqësimit të drejtë dhe shmangia e margjinalizimit institucional janë thelbësore për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt një të ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe evropiane”, thotë BDI./abcnews.al


