Shqiptarët janë populli më i varfër në rajon. Në këtë përfundim ka arritur Our World in Data pas përpunimit të të dhënave të Bankës Botërore. Rreth 80% e popullsisë së Shqipërisë sipas saj jeton me më pak se 10 dollarë në ditë.
E enjtja nuk ishte një ditë me fat për Jashar Dodën.
Që në orët e para të mëngjesit pret që dikush t’i ofrojë ndonjë punë, por mesa duket në shtëpi do të kthehet duarbosh.
“Mund të punosh 3-4 ditë në muaj, ca të dalë beton, mbjellje pemësh, punë, punëtor krahu, punë e zezë, 3 mijë ose 4 mijë lekë”.
Gjatë verës largohet drejt Greqisë për të punuar në bujqësi. Në dimër rikthehet në këtë shesh në Tiranë. Në dyert e zyrave të punës 53 vjeçari tregon se ka trokitur disa herë po pa rezultat.
“Asnjë punë, puna është bërë me miqësi, puna është bërë me njoftësi. Ke njoftësi ke afrim pune”.
Në ditë si kjo familja e tij prej pesë personash sytë i mban tek ajo që mund të kenë kursyer nga paga e djemve.
“Punojnë çunat, i madhi punon armatura, tjetri punon këtu në Tiranë, punojmë sa me jetue”.
Sa janë të ardhurat mujore për familjen tuaj?
“Të ardhurat janë 50 mijë lekë të reja”
Por sa shpenzon në një ditë një familje në vendin tonë?
“Më minimale të paktën unë 15 mijë, flas personalisht për familjen tonë të përbërë prej tre veta, por është e vështirë”.
“Me pension ne paguajmë në radhë të parë ujin dhe dritat, pastaj ca të mbetet e llogarisim për ushqimin”.
“Duhet 10 mijë lekëshi në ditë po ne s’na del dhe harxhojmë edhe më pak 5-6mijë lekë, s enuk na del se jemi me pension të vogël,, le ujë e drita , do mungojmë ushqimin që të plotësojmë gjërat e tjera”.
“Pa 10 mijë lëkë nuk kalohet dita për dy-tre persona, ndërsa po të jenë më shumë duhen më shumë”.
Rreth 80% e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 10 dollarë në ditë. Sipas portalit Our World in Data, i cili ka përpunuar të dhënat e Bankës Botërore, për shpërndarjen e popullsisë sipas pragjeve të ndryshme të varfërisë, vetëm 20.4% e popullsisë jeton me mbi 10 dollarë në ditë, pjesa tjetër, 79.5% jeton me më pak se 10 dollarë. Krahasuar me rajonin, vendi yne ka përqindjen më të ulët të popullsisë që e kalojnë pragun prej 10 dollarësh në ditë. Më pas renditet Kosova, Maqedonia dhe Serbia./abcnews.al