Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Knesset, një fjalim historik në Parlamentin e Izraelit. Kryeministri theksoi se Shqipëria ishte ajo që mbrojti hebrenjtë, duke nënvizuar se në kodin e shqiptarit, kur i huaji të troket në derë duhet ta mbrosh.
“Kodi mesjetar i nderit, shtëpia e shqiptarit i takon pritësit por edhe të ftuarit. Kur i ftuari troket në derën tënde, të huajin duhet ta mbrosh. Në kodin tonë nëse tradhton të panjohurin është më e turpshmja. Pra zgjedhja ishte e qartë më mirë të vdisnim se sa të dorëzonim hebrenjtë”, tha ai.
Më tej kryeministri nënvizoi se Shqipëria, u bë streha që mbrojti hebrenjtë. Gjithashtu kryeministri kujtoi edhe sulmin kibernetik iranian, duke nënvizuar se Izraeli ndihmoi dhe dha mbështetjen gjatë këtij sulmi.
“Autoritetet shqiptare i dorëzuan hebrenjtë në siguri. Gjyshërit tanë, mbajtën një pjesë të Europës njerëzore, aty ku njerëzimi po humbiste ditë pas ditë. Pra nëse duam të qëndrojmë me peshën e dhuratës së jetës dhe ta vlerësojmë që fëmijët tanë të mos vuajnë nesër, për këtë arsye Shqipëria është i pari vend që kaloi legjislacion të ri kundër antisemitizmit. Disa vite më parë Shqipëria vuajti një sulm të madh kibernetik. Ne premë atë fije të hollë floku komunikimi marrëdhënie me ta”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Ramës;
Shqipëria ishte ndër vendet e para në Europë që miratoi legjislacion të ri kundër antisemitizmit, prandaj kemi integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat tona shkollore, dhe prandaj po ndërtojmë në këtë moment, në zemër të Europës, dy hapësira të veçanta kulturore të frymëzuara nga forca tërheqëse e shembujve ndriçues të gjyshërve tanë myslimanë dhe të krishterë, që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetë hebreje.
Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë. Ka të bëjë me njerëzimin.
Dhe jo me njerëzimin si një fjalë e përgjithshme, po me njerzillëkun tonë.
Për këtë arsye, prej shumë vitesh tashmë, Shqipëria ka ofruar mbrojtje për disa mijëra qytetarë iranianë, opozita e të cilëve ndaj kasapëve të Teheranit ua vuri jetën në rrezik të madh.
Nuk ishte pa rrezik as për ne, dhe nuk është pa rrezik as edhe sot. Të mbetesh njerëzor kur e njerëzishmja jote vihet nën presion nuk është kurrë pa rrezik. Përkundrazi. Dhe pikërisht sepse e morëm përsipër atë rrezik, disa vite më parë Shqipëria pësoi një sulm masiv kibernetik të drejtuar nga Irani, që synonte shkatërrimin e gjithë infrastrukturës sonë publike digjitale.
Ne rezistuam. Ata nuk ia dolën.
Na u tha nga miq të fuqishëm të mos reagonim shumë ndaj Iranit, sepse ata janë të mëdhenj dhe të rrezikshëm. Por ne i dhamë personelit të ambasadës iraniane njëzet e katër orë për të lënë vendin dhe e këputëm edhe fijen krejt të hollë të lidhjes që kishim me Republikën Khomeiniste, të cilën nuk do ta quaj kurrë islamike, sepse Islami është dashuri dhe përulësi, ndërsa khomeinizmi është urrejtje dhe vdekje.
Dhe nuk është e shkruar këtu, por thjeshtë dua të bëj atë çfarë Bibi bën gjatë gjithë kohës, të dalë nga fjala e shkruar dhe të them sa vijon: Një mike e jona, bashkëshorti i të cilës është iranian, më tha që pak ditë më parë në një treg në Teheran, njerëzit ishin të pranishëm dhe ndërkohë u vu zjarri dhe tregu u rrethua nga vrasësit. Njerëzit kishin dy zgjedhje, ose të digjeshin nga flakët brenda tregut, ose të vriteshin në dyert e tregut. Por pyetja ime është kjo: Si është e mundur?! Që ndërkohë që media globale flet për 30 mijë njerëz të vrarë për tre ditë, nuk ka mbledhje në asnjë shesh të botës kundra Ayatollahëve për të bërë thirrje për fundin e këtij regjimi. Natyrisht është një pyetje që nuk kërkon përgjigje prej jush. Ju e dini përgjigjen.
Dhe siç ofruam mbrojtje për ata që u vunë në shënjestër nga mullahët e Teheranit, Shqipëria u bë gjithashtu strehë për disa mijëra të tjerë të shënjestruar nga mullahët e Kabulit, gjatë kaosit qe krijoi tërheqja e çrregullt e forcave të koalicionit nga Afganistani,
Kur shumë të tjerë, më të mëdhenj dhe më të pasur, kthyen shpinën, pasi kishin qenë atje, pasi i kishin premtuar atyre njerëzve liri, demokraci, të drejta për të gjithë e pasi i kishin marrë që të pastronin makinat e tyre, shtëpitë e tyre u zhdukën, ndoshta sepse më të mirët dhe më të ndriturit e shoqërisë së Kabulit nuk ishin mjaftueshëm të bardhë apo ishin tepër myslimanë për ta, por ne patëm bekimin të përfshihemi në rrjetin më të jashtëzakonshëm të solidaritetit që kam parë ndonjëherë.
Financimi, logjistika dhe lidhjet u mblodhën jashtë vendit si uragan. Dhe nuk ishte qeveria e SHBA që e organizoi. Ishin qytetarë amerikanë nga çdo shtresë e fushë e jetës dhe përtej ndarjeve politike, të cilët mobilizuan njerëzillëkun e tyre për të shpëtuar jetë përmes një zinxhiri të jashtëzakonshëm duarsh, që formuan një trekëndësh mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Katarit, ku ministri i jashtëm i Katarit i asaj kohe, sot Kryeministër, Mohammed bin Abdulrahman, u shndërrua në një lloj kulle kontrolli të shpresës dhe e ktheu aeroportin e Dohas në një rrugë shpëtimi drejt jetës, për mijëra njerëz që u pritën me dhembshuri në Shqipëri.
/abcnews.al/


