Pesë destinacionet më të preferuara/ Në krye, kalaja e Gjirokastrës, Rama: Rritet numri i turistëve

schedule11:55 - 18 Gusht, 2024

schedule 11:55 - 18 Gusht, 2024

SHQIPËRI– Shqipëria vijon të bëjë jehonë më mediat ndërkombëtare dhe të jetë një ndër destinacionet më të kërkuara në Europë. Sipas të dhënave zyrtare turizmi në vend ka pësuar një rritje me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku 23% e vizitorëve janë turistë të huaj.

Por duket, se të huajt nuk mjaftohen vetëm me bukuritë natyrore dhe ujërat e kristalta të plazheve në vend. Kushdo që viziton Shqipërinë kërkon të njohë më shumë mbi historinë e vendit, duke shënuar kështu rritje të turizmit kulturor.

Shifrat e fundit janë publikuar nga kryeministri Edi Rama, ku listohen 5 destinacionet historike më të preferuara të vizitorëve të huaj në Shqipëri gjatë periudhës 7 mujore janar-korrik të këtij viti.

Në krye qëndron Gjirokastra, qyteti i gurtë pret vizitorë në çdo periudhë të vitit. Sipas të dhënave, kalaja e Gjirokastrës ka pritur 120,723 vizitorë. Në vend të dytë qëndron Kruja, ku Muzeu “Gjergj Kastrioti” ka tërhequr 90 955 vizitorë dhe duket se interesi i të huajve për t’u njohur me historinë e heroit tonë kombëtar ka qenë i lartë.

Kryeqendra e veriut, Shkodra është një tjetër destinacion i preferuar i turistëve. Parku arkeologjik i qytetit është vizituar nga 85,806 persona.

Në listën e vendeve që duhen vizituar patjetër për shumicën e të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushime, është Parku Arkeologjik i Butrintit. Parku që mbrohet nga UNESCO ka pritur 84,742 vizitorë.

Në vend të pestë të top listës qëndron parku arkeologjik i Apolonisë, i cili ka tërhequr 68,469 vizitorë.

PESË DESTINACIONET MË TË PREFERUARA:

Kalaja Gjirokastër – 120723 vizitorë

Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë – 90955 vizitorë

Parku Arkeologjik Shkodër – 85806 vizitorë

Parku Arkeologjik Butrint – 84742 vizitorë

Parku Arkeologjik Apolloni – 68469 vizitorë/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!