Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me publikimin e pamjeve të protestave në Tiranë nga llogari të ndryshme në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si pjesë të propagandës ruse.
Rama ka publikuar disa pamje të shpërndara nga komentuesi Chay Bowes, ku shfaqen përplasjet gjatë protestave në kryeqytet, përfshirë zjarrin dhe përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.
“Ja dhe një klip i propagandës ruse që sot u sanksionua nga Bashkimi Europian pikërisht si klouni i paguar nga Rusia”, shkruan Rama.
Chay Bowes është një gazetar, komentator politik irlandez, i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse dhe për raportimet në favor të narrativës së Kremlinit.
Bashkimi Europian e ka përfshirë Chay Bowes në listën e personave të sanksionuar për rolin e tij të pretenduar në manipulimin e informacionit dhe përhapjen e narrativave që, sipas Këshillit të BE-së, legjitimojnë dhe mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve në BE dhe ndalimin e vënies së fondeve në dispozicion te tij
Ja dhe një klloun i propagandës ruse që sot u sanksionua nga Bashkimi Europian pikërisht si klloun i paguar nga Rusia🤡
Po me Shqipërinë pse? Se Shqipëria e teproi me ngjitjen e saj lart dhe afrimin e shpejtë te objektivi historik: Anëtarësimi në Bashkimin Europian🇦🇱🦅🇪🇺 https://t.co/F9R9OkUtyA
— Edi Rama (@ediramaal) November 16, 2026
Më tej, kreu i qeverisë Rama, ngre pyetjen se përse Shqipëria është bërë objekt i këtyre publikimeve, duke e lidhur këtë me përparimin e vendit në procesin e integrimit europian.
“Po me Shqipërinë pse? Se Shqipëria e teproi me ngjitjen e saj lart dhe afrimin e shpejtë të objektivit historik: Anëtarësimi në Bashkimin Europian”, përfundon reagimin e tij kryeministri Rama.



