SHQIPËRI- Çfarë ofron Shqipëria gjendet në një aplikacion në celular. Në më shumë se 1 vit nga krijimi, TEA është kthyer në një guidë dixhitale. Aplikacioni që u ideua fillimisht si një kalendar aktivitetesh turistike e kulturore, përdoret nga 117 mijë përdorues në të gjithë botën.
“Ajo që është interesante është se është shpërndarë në 7 kontinente”, thotë Zana Çela, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
TEA është shkarkuar në 123 vende të botës. Mes shteteve me numrin më të lartë të përdoruesve renditen vendet evropiane, si Italia, Gjermania, Franca si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. TEA gjendet gjithashtu në celularët e përdoruesve të vendeve të largëta si Kili, Tanzania, Brazili, Hong Kongu, Japonia.
Por, çfarë gjejnë turistët në aplikacionin TEA?
“Veç eventeve të gjithë turistët e huaj gjejnë edhe shërbime të tjetra, ku janë vendndodhja e hoteleve, restoranteve, agroturizmi, qendrat shëndetësore, spitalet, ATM dhe shumë të tjera të domosdoshme”, tha ai.
Këtë sezon veror aplikacioni vjen me risi.
“Kemi përfshirë vendndodhjen e plazheve. Mund të gjeni 76 plazhe, mes tyre 30 janë plazhe publike dhe 46 plazhe private. Mund të gjendet lehtë vendndodhja, informacion për kapacitetin. Por mund të raportohen edhe problematika në adresën e emailit të vendosur”
Për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, aplikacioni shërben për të mbledhur të dhëna të rëndësishme. Më e rëndësishmja prej tyre se çfarë duan turistët.
“Të huajt pëlqejnë më shumë art fest që ka brenda dhe muzikën, artin vizual, panairet. Ndërsa sa i përket kategorisë të shërbimeve agtoturizmet janë pëlqyer shumë”
Sipas të dhënave nga aplikacioni, qytetet që ofrojnë më shumë aktivitete kulturore e turistike në vend janë Tirana, Shkodra, Gjirokastra, Durrësi e Vlora.
“4800 evente ne aplikacionin TEA. Objektivi ynë ta zgjerojmë edhe më shumë guidën. Qendrat Sportive dhe ato të artit.”
Aplikacioni shërben për orientimin e turistëve, të cilët përveç bukurive natyrore të mund të shijojnë dhe mësojnë më shumë rreth traditës. Ai është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Nëse vendos vendndodhjen, të nxjerr rezultatet me aktivitetet e që janë planifikuar për t’u zhvilluar, të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
SHTETET ME NUMRIN ME TE LARTE TE PERDORUESVE
- Shqipëri
- Kosovë
- Itali
- Izrael
- Gjermani
- Greqi
- Poloni
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës
- Francë
- Republika Çeke/abcnews.al