Shqipëria në kërkim të përgatitësve atletikë, Cannavaro mesazh motivues

schedule14:45 - 2 Dhjetor, 2020

schedule 14:45 - 2 Dhjetor, 2020

Fabio Cannavaro, kampion bote me Italinë në vitin 2006 dhe fitues i “Topit të Artë”, i është bashkuar turit të thirrjeve që FSHF bën që njerëz të botës së sportit të angazhohen dhe të bëjnë kursin e përgatitësit atletik, një profesion që të jep mundësinë të punosh në klube të rëndësishme të Superiores dhe të Parës. Emra të njohur tregojnë rëndësinë e përgatitësit atletik, që tashmë është pjesë e stafeve teknike në çdo ekip futbolli. Cannavaro mban qëndrimin e tij.

“Dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit që më dha këtë mundësi për të ndarë me ju eksperiencën time me përgatitësit atletikë. Qysh në ditët e para kur nisa të frekuentoja Koverçanon i kisha idetë shumë të qarta. Në fakt, i thashë Ulivierit: Mister, shiko, kam studiuar dhe ndihem gati, por duhet të dish që do të bëj gjithçka për të gjetur një përgatitës atletik, sepse mendoj se në ditët e sotme figura e përgatitësit atletik është një figurë thelbësore.

Mbi të gjitha nëse një trajner kërkon të bëjë një futboll me intensitet të lartë, me top dhe pa top, dhe këtë mund ta bësh vetëm nëse je vërtetë i përgatitur mirë në nivelin fizik. Unë të Guangzhou pata fatin që solla Giampero Ventron, që ndoshta e njihni për shkak të eksperiencës që ai ka pasur me Juventusin dhe Mario Rottondali, i cili mbulon fazën mes fizioterapisë dhe rikthimit në skuadrën e parë.

Mora vetëm dy nga Italia, do të doja të kisha marrë dhe të tjerë, por më pas vendosa të bazohem edhe te specialistë kinezë. Kemi një tjetër në dispozicion të skuadrës dhe Giampero është përgjegjësi i tyre. Ai strukturon punën e gjithë skuadrës, merret me përgatitjen fizike të gjithë lojtarëve.

Kjo është eksperienca ime, jam i lumtur sepse po marrim rezultate të mira, doja mbi të gjitha t’ua bëja të qartë të gjithë të interesuarve për këtë profesion rëndësinë e përgatitësit atletik. Zgjidhni më të mirët, mos u shqetësoni, sepse rezultatet do të vijnë me kalimin e kohës. Suksese të gjithëve”, shprehet Cannavaro për faqen zyrtare të FSHF-së. /abcnews.al