Shqipëria pritet të pajiset me sistemet amerikane të raketave HIMARS, pas miratimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit të një shitjeje të mundshme ushtarake me vlerë rreth 210 milionë dollarë.
Paketa e parashikuar përfshin dy sisteme raketore M142 HIMARS, gjashtë raketa të drejtuara GMLRS të tipit M31A2 dhe gjashtë pod-e me koka luftarake alternative M30A2. Në listën e pajisjeve përfshihen gjithashtu sisteme komunikimi, mjete ushtarake, pajisje për kontrollin e zjarrit, pjesë këmbimi dhe elementë të tjerë mbështetës.
Për këtë zhvillim dhe rëndësinë e modernizimit të Forcave të Armatosura, foli në emisionin “Real Story” në ABC News gjenerali Dedë Prenga.
Ai u shpreh se ndryshimet në arkitekturën globale të sigurisë, si dhe format e reja të kërcënimeve, përfshirë luftën hibride, kërkojnë që çdo shtet të analizojë vazhdimisht situatën dhe të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen.
Prenga theksoi se zhvillimet e sigurisë në Evropë dhe paparashikueshmëria e konflikteve kërkojnë përgatitje, bashkërendim dhe rritje të kapaciteteve mbrojtëse.
“Ne nuk kemi as pjesën e strategjisë as të Kushtetutës. NATO ka nenin e artikullit 5 që nëse një nga pjesë anëtarë të Aleancës do të sulmohet, do të reagojë me parimin… Marrë në konsideratë paparashikueshmërinë, të formës së luftës hibride dhe shumë formave të tjera që po shfaqen në Europa qeveritë respektive të çdo vendi duhet të analizojnë situatë. Janë të domosdoshme mbledhje e takime. Këto janë raketa në kuadrin e përgatitjes dhe marrjes së masave të sistemit të tërësi të mbrojtjes ajrore është përmirësim i kapaciteteve operacionale për t’u ardhur në ndihmë Forcës Ajrore dhe jo vetëm që në rast të mundshëm. Tre komponentë të rëndësishëm të forcës së armatosura i kemi, tjetër gjë është se sa të modernizuara janë. Sa i përket modernizimit, një nga pikat kryesore, është territoret kapacitetet tona operacionale. Ndryshimet që kanë ndodhur në arkitekturën e sigurisë globale ku është edhe Shqipëria, duhet të paraqesim dhe ne mundësitë…Por së pari është buxheti dhe më me rëndësi është përgatitja, bashkërendimi me njëri tjetrin. Evropa edhe pse vonë është zgjuar tashmë”, tha mes të tjerash ai.
/abcnews.al/



