Policia e Shkodrës nuk ka gjetur akoma autorët e atentatit me tritol ndaj Lulzim Kullës, por ka zbuluar mekanizmin se si ka ndodhur ngjarja.
Janë momentet e para pas shpërthimit të fuqishëm në Shkodër. Drejtorin e policisë, Xhopvalin Loken, e njoftojnë sapo ai mbaroi fjalinë për festën e policisë, kurse gazetari i Abc News Simon Shkreli, vrapon i pari në vendin e ngjarjes. Shkodra u përfshi në panik. Zhurma alarmoi banorët e saj.
Një ditë më pas policia ka zbardhur detaje të reja. Nga hetimet rezulton se në motorrin ku ishte vendosur sasia prej 400 gramë tritoli, ishte parkuar vetëm pak minuta para se Lulzim Kulla të hipte në makinë.
Për këtë ngjarje janë shoqëruar në polici nëntë persona, por që ende nuk është gjetur një dëshmi rreth autorëve.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurise te lokaleve prane objektit ku ndodhi shperthimi ne lagjen Rus te Shkodres.
Sipas të dhënave të përcjella nga policia, saktësohet se tre nga të dëmtuarit, midis tyre dhe Lulzim Kulla, i cili ishte objektivi i sulmit, janë në gjendje të rëndë dhe ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë.
Dhe pas kësaj panorame vjen apeli i shefit të policisë kriminale Saimir Rrustemi: “Do ul kokën para prokurorëve e gjyqtarëve: Boll më! Vendi ka nevojë për pjesën tuaj të drejtë e të ndershme!”, shkruan ai në mesazhin e tij në ‘Facebook’. Shpërthimi në Shkodër shkaktoi plagosjen e tetë personave./abcnews.al