Shpërthen sulmuesi i Interit: Kore raciste nga tifozët çekë, UEFA të marrë masa

schedule17:30 - 28 Nëntor, 2019

schedule 17:30 - 28 Nëntor, 2019

Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku i dhuruan një fitore shumë të rëndësishme Interit mbrëmjen e kaluar. Ekipi i Antonio Contes mposhti 1-3 Slavia Prague në Çeki dhe tani i mjafton një fitore në “San Siro” përballë Barcelonës për t’u kualifikuar më tej në Champions League.

Argjentinasi shënoi dy gola, ndërsa bomberi belg shënoi golin tjetër dhe i dhuroi kolegut të repartit dy asiste. Racizmi nuk mungoi në këtë përballje dhe Lukaku ishte “objektivi” i tifozëve çekë. Sulmuesi i Interit tregon gjithçka ndodhi në një prononcim për Esporte Interativo dhe i bën thirrje UEFA-s të ndërhyjë.

Gjatë ndeshjes pati dy raste kur tifozët kryen kore raciste kundrejt meje. Kjo nuk është një gjë e mirë, jemi në vitin 2019 dhe ka shumë lojtarë nga kombësi të ndryshme nëpër skuadra. Këta tifozë po sillen keq dhe janë një shembull negativ për fëmijët e vegjël. Shpresoj që UEFA të bëjë diçka, sepse i gjithë stadiumi u soll në atë mënyrë pas golit të parë të Lautaros. Do të reagoj nëse dëgjoj përsëri kore raciste në të ardhmen“, përfundon sulmuesi i ekipit zikaltër. /abcnews.al