Shoqatat e Gazetarëve kundër Kryeministrit

schedule16:25 - 25 Tetor, 2017

schedule 16:25 - 25 Tetor, 2017

Pas komunikimit të kryeministrit me mediat, kanë reaguar Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Shoqata e Mediave Elektronike dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat ato e denoncojnë këtë sjellje si intimidim të kryeministrit ndaj mediave.
Në deklaratë thuhet se kjo është një sjellje e përsëritur e kryeministrit ndaj mediave, dhe renditen si ilustrim, disa prej shprehjeve të përdorura nga kryeministri ndaj gazetarëve, si “pyetjet tuaja burojnë nga padituria, jeni kaq të paditur”, “ju jeni për të qarë hallin”, “flisni përçart”, “jeni një amplifikator thashethemesh i paparë”, “skeni si ta kuptoni ju, që për fatkeqësinë tuaj nuk lexoni”.
Shoqatat e gazetarëve u bëjnë thirrje partnerëve të tyre, Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe Federatës Europiane të Gazetarëve në Bruksel, cdo organizate që merret me median e të drejtat e njeriut në vend dhe të gjithë trupit diplomatik në Shqipëri që të reagojnë në mbështetje të medias, e ta ndihmojnë të ndalojnë këtë sjellje të përsëritur të kryeministrit ndaj pushtetit të katërt.
“Nuk është faji i medias që drejtësia italiane ka arritur të përgjojë narkotrafikatë shqiptarë, kushërinj të largët të ish-ministrit të Brendshëm të qeverisë, duke e lakuar emrin e tij si përfitues të aktivitetit të tyre. Nuk është faji i medias shqiptare, që Prokuroria e Krimeve të Rënda të Shqipërisë, ka nisur hetimet dhe i kërkoi kuvendit arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm.
Nëse media bën pyetjet që nuk i pëlqejnë, kryeministri ka gjithë të drejtën të mos përgjigjet, por jo të dalë enkas para tyre, për t’i ofenduar e intimiduar për punën që bëjnë, atë që i takon, mbulimin e kësaj ngjarje që ka shqetësuar kaq shumë kryeministrin.” përfundon deklarata e shoqatave të gazetarëve.