Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dërgon pranë Këshillit të lartë gjyqësor kërkesën për hetimin dhe shkarkimin e tre gjyqtarëve që përbënë shumicën që mori vendimin për shfuqizimin e 4 dënimeve me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin e tij me 25 vjet burg. ABC News disponon kërkesën.
E paralajmëroi në fillim të javës dhe në mes të saj u bë fakt i kryer. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka dërguar zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkesën për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliu anëtar të Gjykates së Apelit Vlorë dhe Aleks Nikolli i Gjykatës së Apelit Shkodër, të cilët kanë qenë shumica, 3 prej 5 gjyqtarëve, që kanë vendosur shfuqizimin e 4 dënimeve me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin me 25 vjet burg.
Sipas kërkesës së mbërritur në KLGj dhe të disponuar nga ABC News, mes të tjerave nënvizohet se në vendimin e datës 8 shkurt të këtij vitit, pas rigjykimit, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda i përbërë nga kryesues: Fuat Vjerdha, anëtarë: Lindita Hoxha, Aleks Nikolli, Skënder Damini dhe Petrit Aliu, me shumicë votash ka vendosur të dënojë përfundimisht të pandehurin Dritan Dajti me 25 vjet burgim, falë pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar.
Ministrja e Drejtësise vlerëson se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Ndaj Gjonaj i kërkon Inspektoratit fillimi e hetimit disiplinor ndaj gjyqtareve Skender Damini, Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe Aleks Nikolli i Gjykatës së Apelit Shkodër. Në përfundim të procedimit disiplinor, Këshilli i Lartë Gjyqësor pasi të ketë shqyrtuar Raportin e hetimit disiplinor ndaj tre gjyqtarëve ministrja e Drejtësisë i sugjeron që marrë masën disiplinore të “shkarkimit nga detyra”, për tre gjyqtarët e dosjes së Dritan Dajtit.
Nga ana tjetër, që në momentin që ishte paralajmëruar ky reagim i ministres së Drejtësië Gjonaj, këtë kërkesë opozita e cilësoi si tallje e pacipë dhe e pamëshirshme me 4 dëshmorët e atdheut të vrarë në krye të detyrës nga Dritan Dajti. Siç kthen në vëmendje opozita, parashikimet ligjore për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ekzistojnë, pasi gjykata kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga 101 deri në 104 të ligjit për statusin e gjyqtarin, nene të cilat parashikonin shkeljet disiplinore.
Në arenën e madhe të ligjeve dhe akteve nënligjore, Ministrja e Drejtësisë me këtë kërkesë sidoqotë e hodhi një top drejt Këshillit të Lartë Gjyqësor, përgjigja e të cilit pritet në ditët në vijim. /abcnews.al