Detaje të reja janë bërë publike lidhur me ngjarjen e rëndë ku një 37-vjeçare shtatzënë nga Pogradeci humbi jetën gjatë transportit drejt Tiranës.
Sipas të dhënave, e reja ishte në shtatzëninë e parë dhe rreth javës së 28-29-të të shtatzënisë.
Ajo është paraqitur në maternitet rreth orës 01:00 të mëngjesit, pasi kishte pasur dhimbje barku, të cilat, sipas të dhënave paraprake, i kishte duruar në kushte shtëpie për rreth 24 orë.
Pas mbërritjes në spital, mjekët kanë konstatuar praninë e gjakut në bark. E reja është reanimuar dhe është bërë e mundur stabilizimi i përkohshëm i gjendjes së saj, përpara se të nisej drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Por gjatë transportit, në afërsi të Elbasanit, gjendja e saj është përkeqësuar dhe 37-vjeçarja ka ndërruar jetë.
Shkaqet e sakta të hemorragjisë dhe vdekjes ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht. Rrethanat e plota pritet të zbardhen pas ekspertizës mjeko-ligjore dhe veprimeve të mëtejshme procedurale.

