Shkodër, sulmohet më granatë shtëpia e ish policit

schedule08:48 - 7 Qershor, 2018

schedule 08:48 - 7 Qershor, 2018

Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë hedhur granata dore në shtëpinë e ish shefit të komisariatit të Shkodrës Shyqyri Çela. Njëra prej granatave ka shpërthyer, por ka vetëm dëme materiale. Çela ka deklaruar në polici se nuk ka konflikte me askënd.

Në lagjen Rus u dëgjua një shpërthim. Dy granata dore prodhime të para viteve 90 u hodhën në oborrin e shtëpisë së ish shefit të komisariatit të policisë Shkodër Shyqyri Çela.

Vetëm njëra prej tyre shpërtheu,kurse tjetra u gjet nga policia.  Në banesë ndodhej vetëm Çela dhe një muaj më parë kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga shpërthimi i granatës është dëmtuar një nga xhamat e dritareve të shtëpisë. Mësohet se Çela ka deklaruar në polici se nuk ka ndonjë të dyshuar për ngjarjen.

Shyqyri Çela ka qenë shef komisariati në fillimet e viteve ‘90 në Shkodër dhe Peshkopi, ndërsa në vitin 1996 ai është zgjedhur deputet i Partisë Aleanca Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 1998 ai është larguar për në SHBA së bashku me familjen e tij. Shkak për largimin dyshohet të ketë qenë një konflikt i vëllait të tij Ilir Çelaj, ngjarje e ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës ku pati edhe shkëmbin zjarri mes vëllait të tij dhe disa personave të tjerë. Nga ky vit Shyqyri Çela jeton në SHBA dhe si çdo herë tjetër ai ka ardhur në Shkodër  për të qëndruar disa muaj.

Gazetar i ABC News: Simon Shkreli

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!