Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo thotë se në planin rajonal, Izraeli ka interes që Irani të dobësohet në Lindjen e Mesme.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Bimo u shpreh se për SHBA, efekt afatgjatë do të ketë shkëputja e Iranit nga BRICS.
Bimo shtoi se Izraeli ka plan për ta copëtuar Iranin në shtete të vogla.
“Fakti që u shkua në luftë duke menduar se bisedimet po jepin rezultat, ministri i Jashtëm i Omanit, dy ditë para luftës tha se Irani pothuajse kishte rënë dakord me çdo gjë që i kërkohej nga SHBA, sa i përket çarmatimit të programit bërthamor. Arsyet pse, mund t’i gjykojmë nga shumë këndvështrime. Ka dy plane kryesore, plani rajonal dhe gjeopolitik global. Në planin rajonal, kanë qenë interesat e Izraelit, ndërsa në planin gjeopolitik botëror, duhet të jetë në interes të SHBA të nxjerrë jashtë loje Iranin. Shkëputja e Iranit nga procesi BRICS është çështje me interes strategjik afatgjatë për SHBA. Në këndvështrimin rajonal, kur Izraeli mendon se fatkeqësia e tij dhe telashet si me Hezbollah, Youthi, vijnë nga Irani, ka dashur të neutralizojë sa më shumë Iranin.
Duket që çdo ditë që kalon, ekspozon planet e Izraelit për të copëtuar Iranin, mundësisht në 6 shtete të vegjël, çka do i jepte mundësinë Izraelit të kishte kontroll gjeostrategjik, politik dhe ushtarak në të gjithë rajonin. Sot, ka marrë goxha prezencë në mediat amerikane, thënia e presidentit Trump që po armatosen forcat krude në veri, që do shërbejnë si forca tokësore të SHBA për rrëzimin e regjimit. Kjo bëhet e komplikuar. SHBA dhe Izraeli duan ndryshim regjimi. Duhet që kohezioni i popullit iranian të jetë sa më i dobët. Në moment që ndërhyn me trupa kurdi nga terreni, ti bën të kundërtën atë që do”, theksoi ai.


