Shkarkohet Gentian Osmani

schedule11:11 - 31 Korrik, 2019

schedule 11:11 - 31 Korrik, 2019

Shkarkohet nga detyra anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gentian Osmani. Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi 3 gjetjet kryesore të Komisionerit Publik, por vendosi shkarkimin e ish-prokurorit të çështjes Tahiri për mosjustifikim të shpenzimeve në vitet 2011-2013.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra, prokurorin Gentian Osmani, anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në arsyetimin e vendimit trupa gjykuese e KPA-së rrëzoi 3 gjetjet kryesore të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në lidhje me pasurinë e Osmanit, si të pabazuara në prova dhe fakte.

Sipas KPA-së, Osmani kishte pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar blerjen e apartamentit, dhe kursimet ndër vite, por ajo që e fundosi ish-prokurorin e çështjes Tahiri, ishin deklarimet e pasurisë për vitet 2011-2013.

Në këto vite sipas KPA-së, Gent Osmani nuk ka arritur të justifikojë shpenzimet dhe kursimet. Shuma për të cilën bëhet fjalë është 1 milion lekë. Sipas Mulajt, vendimi i shkarkimit të Osmanit nuk do të ndikojë në vlerësimin e bashkëshortes së tij, e cila është gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.

Gentian Osmani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisoneri Publik e ankimoi me argumentin se nuk krijohet bindja që subjekti i rivlerësimit kishte burime të ligjshme  për të justifikuar pasurinë. Komisioneri Publik vlerësonte se Osmani gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!