Shkarkimet nga KPK vetëm për shkaqe pasurore

schedule15:34 - 18 Gusht, 2018

schedule 15:34 - 18 Gusht, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarë dhe prokurorë të sistemit të drejtësisë për shkaqe të mos-deklarimit të saktë të pasurisë, duke dështuar të gjejë raste të dënueshme me masa disiplinore për shkak të cënimit të figurës apo mungesës së profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar sitën e Vettingut.

21 shkarkime nga detyra ka vulosur çekiçi i shkallës së parë të Vettingut, të gjithë për probleme të deklarimit të pasurisë. Pjesë e listës prioritare për rivlerësim me 57 subjekte ishin gjyqtarët e gjykatave edhe prokurorive më të rëndësishme në vend, si dhe kandidatë për organet e reja të drejtësisë, në pritje kto të përfundimit të këtij procesi, në kapërcim të afateve kushtetuese prej mbi 16 muajsh. 37% e subjekteve të rivlerësuar derimë tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kanë marrë dritën e kuqe, kryesisht si shkak i mospërmbushjes së një prej tre kritereve që ky proces skanimi parashikon, atë të pasurisë.

Sipas nenit 59 të ligjit të Vettingut, në përfundim të procesit, Komisioni mund të vendosi konfirmimin në detyrë, pezullimin për një periudhë 1-vjeçare me detyrim për ndjekjen e një trajnimi të aprovuar nga shkolla e magjistraturës, si dhe shkarkimin nga detyra. Sipas po këtij ligji, konfirmimi në detyrë vjen kur subjekti ka nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe nivel minimal të vlerësimit profesional. Pezullimi nga detyra me detyrimin për ndjekjen e programit të trajnimit, nuk është dhënë ende si masë disiplinore nga KPK në asnjë nga 57 rastet në total të rivleresuara.

Shkarkimi nga detyra, nga ana tjetër, sipas ligjit vjen kur subjekti ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kontrollin e figurës dhe pasurisë, kur rezulton i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale, ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme, si dhe nëse rezulton se ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Mes tyre vetëm dy të fundit, problemet me pasurinë dhe cënimi i besimit tek drejtësia kanë penalizuar rastet e rishikuara derimë tani.

Vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, zbardhin problemet e pasurisë si arsyen kryesore të identifikuar nga Komisioni për çdo shkarkim të kryer deri sot, duke dështuar në gjetjen e atyre rasteve ku mungesa e profesionalizmit, apo cënimi i figurës së magjistratit janë arsye të shkarkimit të tij nga detyra. A tregon kjo se procesi i vettingut po funksionon bazuar vetëm në një shtylle të saj, apo se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar për pasuri të pajustifikuar, e kanë vënë atë duke mos cënuar figurën apo profesionalizmin e tyre?/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!