Sheshi i Lezhës në errësirë të plotë

schedule18:15 - 17 Shkurt, 2019

schedule 18:15 - 17 Shkurt, 2019

Kur sheshi i Lezhës u rikonstruktua, ndriçimi u bë me llamba që gjenden vetëm në Korenë e Jugut. Sot ato janë djegur dhe Bashkia nuk ka mundësi që t’i zëvendësojë. Për këtë arsye natën qendra e Lezhës është në errësirë të plotë.

Asgjë nuk shikohet këtu në sheshin kryesor të Lezhës. Është terr dhe nuk ka ndriçim. I rikonstruktuar si pjesë e Rilindjes urbane 5 vite më parë nata duket kështu. Të paktë janë ndriçuesit e ndezur. Në kushte të tilla është shumë pak i frekuentueshëm. Banorët mbyllen herët në shtëpi.

 

Përreth tij janë institucionet kryesore; monumenti i Besëlidhjes, vendvarrimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, Pallati i Kulturës, biblioteka, bashkia, qarku e prefektura, por në një errësirë të plotë.

Shkak për këtë anormalitet janë ndriçuesit. Modeli i tyre unik ka vështirësuar mundësinë e gjetjes. Bashkia e Lezhës thote se konstatimi i bërë nga ABC Neës është i drejtë. Llambat e ardhura nga Koreja janë të veçanta dhe zgjidhja e vetme është ndryshimi i krejt sistemit ndriçimit dhe unifikimi i tij për të cilën po zhvillohen tratativa.

Ndue Lushi: Është një fenomen sepse këto llamba janë të veçanta, janë të marra nga Koreja sipas interesimit që kemi bërë për gjetjen e tyre. Realisht jemi në tratativa që ta ndryshojmë komplet mënyrat e ndriçimit.

Sistemi i aplikuar në sheshin e rikonstruktuar të Lezhës ka qenë funksionalisht i plotë vetëm për pak kohë. Djegia e llambave vuri në pah edhe mungesën e tyre në tregun shqiptar.

Kurse mundësia për të bërë tender për një produkt që mund të gjendej vetëm në Korenë e Jugut e vështirësoi akoma më shumë zëvendësimin e tyre./abcnews.al