Sherre, vrasje dhe qeli të mbipopulluara: Brenda “ferrit” ku humbi jetën Mentor Rexha

schedule13:57 - 10 Shkurt, 2020

schedule13:57 - 10 Shkurt, 2020

Mentor Rexha, 36 vjeçari shqiptar nga Shkodra u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Poemeur në Lorient të Francës.

Autoritetet thanë se ai kishte kryer vetëvrasje, ndërsa familjarët hedhin poshtë këtë version duke publikuar edhe foto nga trupi i tij, në të cilin duken qartë shenja dhune.

Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët humbasin jetën në burgjet franceze, të cilat kanë patur të njëjtin version: Vetëvrasjen!

Situata në disa prej burgjeve franceze është mjaft e rëndë. Kjo konfirmohet edhe nga Sindikata e Burgjeve në Francë, e cila ka njoftuar për një protestë ditën e nesërme me argumentin se gjendja në burgje ka kaluar çdo limit dhe se të burgosurit futen nga tre katër persona në qëli të planifikuar për tek person, raporton abcnews.al.

Sipas tyre, burgjet janë të mbipopulluara dhe kjo sjell zënka të përditshme mes të burgosurve ku nuk mungojnë edhe vrasjet.

Ndër të tjera situata përshkruhet si e paprecedentë duke theksuar se aktualisht në qendrën ku humbi jetën Mentor Rexha mbahen të burgosur 367 persona, shifër e konfirmuar kjo zyrtarisht në datën 7 shkurt të këtij viti, në një kohë që teorikisht qendra duhet të presë vetëm 227 persona.

37 të burgosur në këtë qendër flenë duke vendosur dyshekët në tokë.

Lexo edhe: Vdekja e shqiptarit në burg të Francës, flasin familjarët: Ambasadori na tha nuk kemi çfarë të bëjmë

Në denoncimin e sindikatës, të publikuar dhe nga uebsajti francez “Le Telegramme”, theksohet se të dënuarve u ndalohet të komunikojnë, nuk kanë privatësi, ka zënka të dhunshme mes tyre, pasiguri e përgjithshme dhe një përshkallëzim të tensioneve të brendshme, shkruan abcnews.al.

Në qendër të shqetësimeve të sindikatës është siguria e personelit duke thënë se kushtet e punës janë përkeqësuar ndjeshëm.

Madje për në datën 11 shkurt është parashikuar dhe një protestë e stafit para kësaj qendre burgimi.

Edhe drejtoresha e qendrës Katell Peton, e re në këtë post, ka pranuar se dy javët e fundit kushtet janë përkeqësuar ndjeshëm, dhe se mesatarja e prurjeve të reja është 50.

Në janar të këtij viti kanë qenë 86 të burgosurit e rinj të vendosur në këtë qendër. Ajo pranoi se tensioni është shumë i lartë dhe mes stafit e personelit. /abcnews.al