Korçë – Një person ka mbetur i plagosur pas një konflikti të ndodhur në lagjen nr. 1 të Korçës, ku dyshohet se është goditur me sëpatë.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy personave, i cili kishte nisur një natë më parë me një debat verbal. Përplasja ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme, ku pak minuta para ngjarjes, dy personat janë konfliktuar sërish.
Gjatë konfliktit, njëri prej tyre dyshohet se ka marrë një sëpatë dhe ka goditur personin tjetër, duke i shkaktuar plagë në zonën e shpatullës.
I dëmtuari është transportuar menjëherë në spital, ku sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autori i dyshuar i ngjarjes është shoqëruar nga shërbimet e Policisë dhe ndodhet në komisariat, ku po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.



