Shëngjini bëhet gati për sezonin turistik, në Durrës nis plazhi

schedule19:14 - 25 Mars, 2019

schedule 19:14 - 25 Mars, 2019

Në Shëngjin po bëhen përgatitjet e para për sezonin turistik. Aktualisht ka nisur puna për gjelbërimin dhe pastrimin e rërës përgjatë bregdetit. Ndërsa në Durrës, ka shumë pushues që shijojnë diellin dhe temperaturat e larta, në këtë fund Marsi.

Shëngjini do të jetë i gjelbëruar gjatë verës. Në shëtitoren kryesore dhe qendrën e qytetit po mbillen pemë të përshtatshme për zona të tilla. Vëmendje do t’i kushtohet edhe pastrimit të brezit të rërës përgjatë bregdetit. Kryetari i Bashkisë Lezhë garanton se infrastruktura do jetë gati para fillimit të sezonit.

“Ne po bëjmë maksimumin që bashkia të jetë në maksimumin e duhur për përgatitjen e gjithë infrastrukturës për një funksionim sa më të mirë të shërbimeve që duan njerëzit”.

Ndryshime priten edhe në shërbimet që do t’u ofrohen vizitorëve në verë. Ndërsa në Durrës ka nisur plazhi para çeljes së sezonit turistik. Të lahesh në det sa herë moti është me diell për këtë ish sportist mbetet mënyra më e mirë për të mbajtur fizikun në formë.

“Që nga muaji Mars këtu në Durrës e deri në Dhjetor 10 muaj bëhet plazh”.

Fëmijët janë ata që i gëzohen më shumë detit. Ndërsa të rriturit rrezeve të diellit apo shëtitjeve buzë detit./abcnews.al